Shkodër – Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i shoqëruar nga anëtarë të kabinetit mori pjesë sonte në mbrëmjen artistike festive “Ku e muer emrin Malësia”. zhvilluar në Teatrin “Migjeni” në Shkodër.
Koncerti festiv i organizuar nga Shoqata Kulturore “Kënga Jonë” e Shkodrës, nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës, u mbajt me rastin e 100-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe ngritjes së flamurit kombëtar nga Heroi i Popullit, Dedë Gjo Luli në Deçiç.
Në këtë mbrëmje festive, ku u shpalosën vlerat më të spikatura të krijimtarisë artistike të Malësisë së Madhe ndër breza, kënduan, interpretuan dhe vallëzuan artistë nga të gjitha trevat shqiptare.
Presidenti Topi nderoi me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, Liri Jushi (Rasha) me motivacionin: “Për kontribut shumëvjeçar në pasurimin e jetës artistike shqiptare, për interpretimin e rrallë mjeshtëror të këngës popullore, veçanërisht asaj të trevës së Dibrës” dhe Tonin Tërshana me motivacionin: “Për kontribut shumëvjeçar në pasurimin e jetës artistike në vend, për interpretimin me individualitet artistik të këngës në muzikën e lehtë shqiptare”.
Gjithashtu Presidenti dekoroi me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë” Rrok Gjelaj për “Për kontribut të rëndësishëm në njohjen, hulumtimin e evidentimin e folkut muzikor dhe përdorimin me mjeshtëri të veglave muzikore popullore të trevës së Malësisë së Madhe”, Gjelosh Gjokaj për “Për vlera të padiskutueshme artistike individuale dhe për një kontribut të madh e të pareshtur në njohjen e përhapjen e kulturës dhe artit shqiptar në Evropë e më gjerë, për më shumë se 40 vjet” dhe Ilir Shaqiri me motivacionin: “Për kontribut në pasurimin e jetës artistike shqiptare, nëpërmjet krijimit dhe interpretimit të këngëve popullore e të muzikës lirike si dhe organizimit të shumë koncerteve në trevat shqiptare e jashtë tyre”.
Ndërsa me “Medaljen e Mirënjohjes” u nderuan Hana Nikprelaj “Për kontribut në pasurimin e jetës artistike shqiptare, nëpërmjet interpretimit me mjeshtëri të shumë këngëve të trashëgimisë folklorike” dhe Çun Lajçi me motivacionin: “Për kontribut të veçantë në teatrin dhe kinematografinë shqiptare, nëpërmjet sjelljes së shumë roleve me realizëm dhe individualitet artistik”.
Artistët e dekoruar falenderuan Kryetarin e Shtetit për respektin dhe vëmendjen e vazhdueshme që tregon ndaj vlerave të vërteta tradicionale të artit shqiptar.
Në fjalën e tij të rastit, Kryetari i Shtetit shqiptar theksoi kujtimin e një ngjarje, që ndryshoi përgjithmonë historinë tonë si dhe kujtimin e burrit, i cili e ideoi atë dhe pas shekujsh robërie, shpalosi flamurin e Kastriotit në tokën shqiptare. “Nuk mund të ndahen, janë një binom nga ato që historia prodhon në orët e saj më të ndritura për një komb apo vend! Ju i dini! E kanë emrin: Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe Dedë Gjo Luli!”, tha Topi.
“Burrat e sojit të Dedë Gjo Lulit janë pushkë të ngrehuna të Shqipërisë siç do t’i quante Ismail Qemali asokohe, por edhe modele për çdo bir shqiptari! Rojtar i përjetshëm i fateve të Shqipërisë mbetet ai. Kryengritja që filloi më 24 Mars të vitit 1911, e ndezi flakë gjithë Shqipërinë, flakë që nuk u shua kurrë, kryengritje pas kryengritje deri në shpalljen e Pavarësisë me 28 nëntor 1912. Më lejoni të pohoj se shtizë e atij flamuri ishte Dedë Gjo Luli”, tha Presidenti Topi.
|
|
Thursday, 24 March 2011 23:12