Lajme Shqip Thursday, 22 December 2011 17:30

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar sot homazhe në Ambasadën e Republikës së Çekisë në Tiranë, për nder të Ish-Presidentit çek, Vaslav Havel, i cili u nda nga jeta ditë më parë.

Sipas zyrës së shtypit të PS-së, Rama u shprehu ngushëllimet më të ndjera zyrtarëve të lartë të Ambasadës së Republikës së Çekisë, dhe shkruajti në Librin e Zisë të hapur me këtë rast.

Rama e vlerësoi Vaslav Havel si  njeri që ishte frymëzim i madh kundër regjimit në Shqipëri. Për Ramën shembulli unik i Havelit në marrëdhëniet me pushtetin do mbetet gjithnjë frymëzues.

“Është nder i posaçëm për mua që të mund të bëj një koment për një figurë frymëzuese, e cila në distancë, mua dhe të tjerë na udhëhoqi në rrugën e protestës e pastaj të revoltës ndaj regjimit totalitar. Dhe s’do ta harroj kurrë me çfarë emocionesh fotokopjonim dhe përkthenim fshehurazi tekstet e tij e pastaj i shpërndanim ato mes studentëve në Akademinë e Arteve.”

Havel u lind më 1936, në një familje të pasur, por kur komunistët morën pushtetin, humbi gjithçka. Iu ndalua të kryente gjimnazin dhe ai mundi të bënte diçka për të ardhmen, të studionte në një shkollë nate, ndërsa ditën punonte si një teknik laboratori. Pushtimi sovjetik i Çekosllovakisë shembi ëndrrat e Havelit.

Veprat, kritike kundër gardës së vjetër staliniste u ndaluan në vendlindje. Por ai vazhdoi të krijonte drama me një akt që shfaqeshin në shtëpi private.

Vite më vonë ai themeloi “Kartën 77”,  një lëvizje që aspironte ndryshime demokratike. Në këto momente, Havel u shndërrua në disidentin më të famshëm të Çekosllovakisë.

I burgosur për aktivitet anti-shtetëror ai u mbajt nën mbikëqyrje të veçantë nga policia sekrete edhe kur doli nga burgu.

Në fund të vitit 1989, Havel e gjeti veten të diskutonte për të ardhmen e vendit, pikërisht me ata njerëz që e kishin çuar në qeli.

Mijëra çekë i bënë homazhe Ish Presidentit Vaslav Havel, i cili vdiq në moshën 75-vjeçare.