Lajme Shqip Tuesday, 18 October 2011 11:53

Presidenti i Republikës Bamir Topi mori pjesë në konferencën “Reformimi i sistemit të imuniteteve në Shqipëri: Rruga përpara”.

Topi thotë se raportet  “konfirmojnë shqetësimin tim publik, se sistemi i imuniteteve është kthyer në pengesë për rritjen e forcës goditëse të luftës ndaj fenomeneve korruptive. Politikanë, gjyqtarë dhe zyrtarë të lartë, për shkak edhe të kësaj mbrojtjeje kushtetuese të tyre, ndihen të pakapshëm nga forca e ligjit”.

Topi thotë se imuniteti, nga një institut i vendosur për të siguruar ushtrimin e lirë të detyrës dhe mandatit të dhënë, shpeshherë është kthyer në koracë mbrojtëse të papërgjeshmërisë dhe të korrupsionit. “Zyrtarët e lartë, shpesh e kanë përdorur imunitetin jo si një mjet të dhënë nga Kushtetuta për të garantuar kontributin e tyre në shoqëri, por si një mburojë ndaj hetimit dhe ndjekjes penale për shkeljet e kryera prej tyre”-është shprehur më tej kreu i shtetit.

Topi bëri thirrje se tashmë “Ka ardhur koha që barazia para ligjit të mos jetë thjesht një parim i vendosur në Kushtetutë, por edhe një parim i realizuar dhe sa më i prekshëm. Vende të tjera evropiane e kanë bërë këtë vite përpara. Le t’u bashkohemi këtyre zhvillimeve pozitive europiane, duke e parë reformimin e imuniteteve jo si një detyrim në procesin e integrimit të Shqipërisë, por si nevojë për zhvillimin e vendit, si synim që i shërben një qeverisjeje demokratike dhe transparente”.