Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë një takimi të hënën me ministrin e Jashtëm maqedonas, Nikola Poposki, vlerësoi rolin e rëndësishëm të faktorit shqiptar në Maqedoni, si një element qëndrueshmërie, bashkëpunimi dhe kontribues në proceset integruese të shtetit maqedonas.
Pasi vuri në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera të fqinjësisë së mirë që ekzistojnë mes dy vendeve, Kreu i Shtetit nënvizoi “rolin e veçantë dhe rëndësinë që kanë marrëdhëniet dypalëshe, sidomos në fushën e diplomacisë, si prioritet jo vetëm i politikës së jashtme të vendit tonë, por që duhet të jetë i tillë edhe për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim realizimin e synimeve të përbashkëta integruese evropiane të mbarë rajonit tonë”.
Në këtë kuadër, Presidenti Topi vlerësoi gjithashtu rolin e rëndësishëm të faktorit shqiptar në Maqedoni, si një element qëndrueshmërie, bashkëpunimi dhe kontribues në proceset e rëndësishme integruese të shtetit maqedonas.
Nga ana e tij, ministri Poposki theksoi rëndësinë e këtyre takimeve për rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh institucional në të gjitha fushat, por edhe atij rajonal, duke vënë në dukje rëndësinë e dialogut politik, mirëkuptimit e bashkëpunimit, me qëllim integrimin e përbashkët të të gjitha vendeve të Ballkanit në strukturat euro-atlantike dhe në Bashkimin Evropian.
Monday, 03 October 2011 17:14