Lajme Shqip Friday, 10 February 2012 20:11

Tiranë- Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, që mban dhe postin e kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka reaguar për dorëheqjen e nënkryetarit të këtij institucioni, Kreshnik Spahiu.

Në një reagim të pak minutave më parë, Topi tha se dorëheqja si akt është individuale, ndaj duhet të respektohet.

Më tej ai tha gjithashtu se Gjykata Kushtetuese duhet respektuar duke iu referuar kërkesës së Spahiut drejtuar kësaj gjykate për ligjshmërinë e komisionit parlamentar hetimor të ngritur kundër tij.

“Dorëheqjet janë individuale dhe duhen respektuar. Spahiu ka respektuar të drejtën e tij dhe s’do të doja të bëja asnjë lloj interpretimi.Mund ta keni mundësinë dhe në ditët në vazhdim të merrni arsyet e plota. Unë respektoj aktin e tij”, tha presidenti.

Topi tha se do të nisë puna për emrin pasues të Spahiut. “Institucionet nuk mund të qëndrojnë me vende vakante. Është nevojë imediate që në atë vend të emërohet dikush tjetër.

KLD vërtet ka presidentin për kryetar, por aktivitetin gjerësisht e mbulon zëvendëskryetari”, theksoi Topi duke paralajmëruar zgjedhjen e një emri të ri në një kohë të afërt.