Aktoret Drita Pelinku, Tinka Kurti dhe Margatita Xhepa janë vlerësuar sot me Urdhrin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, për kontributin e tyre në zhvillimin e teatrit dhe kinematografisë shqiptare.

Presidenti Topi ka dekoruar edhe aktoret Edi Luarasi dhe Roza Anagnosti me Urdhërin “Mjeshtër i Madh”, gjithashtu, për kontributin e tyre në artin skenik dhe kinematografinë kombëtare dhe për karakteret e shumtë artistik që kanë realizuar me mjeshtëri.
Urdhri “Mjeshtër i Madh” iu dha dhe piktores së grimit në shumë filma shqiptar, Liljana Tesho (Kabo) dhe një prej themeluesve të grimit artistik Llukan Bushi.
Në fjalën e tij, Presidenti Topi tha se sot, nuk nderohen thjesht një grup artistësh, por një epokë kinematografie, që me veprat e tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në traditën dhe kujtesën tonë kulturore dhe shoqërore.
“Suksesi juaj është dëshmi e një tradite të fortë kinematografike, e një plejade të jashtëzakonshme artistësh që lindin dhe e ndërtuan karrierën e tyre në një kohë të vështirë për ata që ju panë e ju ndoqën dhe për shoqërinë shqiptare”, tha Topi.
Presidenti Topi shprehu gjithashtu mirënjohje për këto figura të artit shqiptar që, sipas tij, ushqyen në një epokë të errët shpirtin, ëndrrat, dëshirën e shqiptarëve për liri.
Friday, 23 December 2011 13:50