Presidenti i Republikës ka shprehur gjithë keqardhjen e tij ndaj sjelljes së klasës politike shqiptare pas përgjigjes negative që erdhi nga Brukseli për statusin kandidat.
“ Në kontrast të thellë me nevojat dhe aspiratat e qytetarëve dhe shoqërisë shqiptare, Raporti arrin në përfundimin realist se Shqipëria nuk ka përmbushur kriteret e përcaktuara nga Bashkimin Evropian për të rekomanduar hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Kjo është përgjigjja e dytë negative për Shqipërinë; në dy rastet për të njëjtat problematika që lidhen kryesisht me përgjegjësinë e pambajtur të institucioneve politike në Tiranë”-ka deklaruar kreu i shtetit.
Sipas Topit Shqipëria dështoi në përmbushjen e 12 rekomandimeve dhe kjo tregon se “Shqipëria vijon të ketë vështirësi në aplikimin e demokracisë funksionale, axhendat partiake vijojnë të jenë dominuese mbi axhendat e reformave integruese dhe shteti i së drejtës ndeshet ende me problematika komplekse e të patrajtuara si duhet. Për të gjitha këto arsye, Shqipëria humbi edhe njëherë shansin historik për të hedhur hapa serioze në përafrimin e vet me Bashkimin Evropian”.
Topi tha më tej se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një aspiratë me interes kombëtar për Shqipërinë, ndaj edhe në momente të tilla, qytetarët dhe publiku kanë të drejtë të ndihen të braktisur nga klasa e tyre politike.
Topi kritikoi jo direkt edhe kryeministrin Berisha i cili gjatë deklaratës së djeshme i’a ngarkoi të gjithë fajin për këtë dështim opozitës.
“Unë dëgjova dje deklaratat politike të palëve se pranojnë Raportin dhe janë të gatshëm të reflektojnë mbi problematikën e tij. Dëgjova gjithashtu se palët politike nuk pranuan asnjë përgjegjësi konkrete, por zakonisht fajësuan palën kundërshtare për shansin e humbur të integrimit. Si President dhe qytetar e refuzoj këtë praktikë dhe këtë qëndrim. Kjo është ajo çfarë nuk i duhet Shqipërisë, demokracisë dhe integrimit. Kjo është ajo, për të cilën qytetarët shqiptarë ndihen padrejtësisht të penalizuar. Shqipëria ka nevojë për një vizion të ri politik, për qëndrime e politika të përgjegjshme, jashtë retorikave personale e propagandistike që nuk zgjidhin, por zgjasin pa fund tranzicionin dhe shanset tona integruese”-tha Topi.
Më pas Topi në adresimin e tij i’u drejtua shqiptarëve me këto fjalë
Qytetarë të nderuar!
Ju dhe e ardhmja juaj meritojnë më shumë siguri, hapësirë demokratike dhe mirëqenie. Pas dy dekadash tranzicion Shqipëria meriton më shumë respekt, shërbim dhe dinjitet. Unë kam besim dhe dëshiroj të jem optimist, duke besuar gjithnjë në fuqitë e përgjegjshme dhe qytetarë të këtij vendi, në vlerat e moralit, kulturës dhe integritetit politik, si dhe në potencialin demokratik të shoqërisë për të imponuar standarde më të larta demokracie.
Shqipëria e meriton BE-në, interesi ynë madhor kombëtar është anëtarësimi në BE. Ne, institucionet vendimmarrëse e përfaqësuese, duhet të bëjmë gjithçka kemi në dorë për ta përmbushur këtë mision historik por edhe detyrim moral, ligjor e institucional përpara qytetarëve e vendit.
Thursday, 13 October 2011 11:54