Lajme Shqip Thursday, 29 December 2011 19:55

Tiranë-“Viti 2012 është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, pasi është viti jubilar i shpalles së Pavarësisë, por është dhe një moment kur të gjithë presim që të marrim statusin e vendit kandidat për në BE”.

Kështu ka deklaruar presidenti i Shqipërisë Bamir Topi në një intervistë për Deutsche Welle ku shprehet se viti që po afron është një moment i rëndësishëm për shqiptarët.

“Besoj se është një moment shumë i rëndësishëm për ta parë në një refleksion të thellë të marrëdhënieve edhe midis njerëzve, edhe midis politikanëve, edhe midis institucioneve, për ta sjellë shtetin shqiptar në të gjitha strukturat e veta, si në strukturat e shtetit po ashtu dhe në komunikimin mes njerëzve në parametrat e një shteti modern, të denjë për të qenë pjesë e familjes europiane”.

I pyetur për zhvillimet e këtij viti që po lëmë pas, Topi përmendi ngjarjet e 21 janarit si më negativet.

“Në sensin kronologjik ajo që nuk do të dëshiroja të ndodhnin, janë ngjarjet e 21 janarit. Ngjarje që krijuan një situatë shumë të rëndë në Shqipëri dhe besoj se krijuan atë kusht paraprak që të mos merrej në konsideratë si një element pozitiv në integrimin e Shqipërisë në BE. Pra mosmarrja e statusit të vendit kandidat për në BE, përveç disa elementëve të tjerë që lidhen me plotësimin e rekomandimeve të Komisionit Europian patjetër që janë të influencuara dhe nga ngjarjet e janarit”-tha Topi.  

Sipas presidentit, ajo që mund të konsiderohet pozitive, po në sensin politik, ishte rikthimi tek dialogu, rikthimi i bashkëpunimit parlamentar.

“Dhe ajo që është akoma dhe më pozitive është fakti se pavarësisht situatave politike që kaluan unë besoj se institucionet shqiptare janë të tilla që garantojnë jo vetëm një respektim të dokuementit themeltar të shtetit, por garantojnë dhe funksionalitetin e tyre, që do të thotë se shteti sa vjen dhe konsolidohet”-vijoi kreu i shtetit.  

I pyetur lidhur me nivelin e lartë të korrupsionit në vend, Topi tha se çështja e luftës kundër korrupsionit duhet të përballohet nga të gjitha institucionet, por së pari nga ato politike.

“Kjo është një sëmundje që ka nevojë të trajtohet para se të shërohet, ka nevojë për reforma të thella. Këto reforma bëhen vetëm mbi bazën e një vullneti reciprok politik për të garantuar jo vetëm ligje por dhe institucione të forta. Në themel të luftës kundër korrupsionit padyshim që është ligji, por janë dhe institucionet. Padyshim që këtu kam në konsideratë institucionet e drejtësisë, të cilat patjetër që e kanë detyrë për të trajtuar të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë para ligjit. Për ta bërë këtë element në kushtet e barazisë së plotë, duhet që në rastin e politikanëve që përballen me ligjin ata ta heqin koracën. Vashdimisht është diskutuar mbi çështjen e imunitetit, por unë po gjej rastin e kësaj interviste që të them se është e domosdoshme që të gjithë politikanët, të gjithë punonjësit e sistemit të drejtësisë, prokurorë, gjyqtarë duhet ta lëshojnë imunitetin e tyre”- u shpreh Topi.

Sipas tij, kjo është një kërkesë në radhë të parë e shoqërisë shqiptare që njerëzit të ndjehen të barabartë para ligjit, por është kërkesë dhe e partnerëve ndërkombëtarë. Presidenti shtoi se për të bërë një luftë pa paragjykime kundër korrupsionit, njerëzit duhet të jenë pa imunitet.

Sa i përket kritikave të kryeministrit Sali Berisha në adresë të tij dhe marrëdhënieve të vështira me mazhorancën, Topi u shpreh se fakti që ai akuzohet si

i shkëputur nga interesat partiake është një lajm i mirë dhe tregues i korrektësisë institucionale dhe konstitucionale të Presidentit, në përmbushje të detyrimeve madhore të tij.

“Garanti për kushtetutën sipas kushtetutës së Shqipërisë është Gjykata Kushtetuese. Fakti që deri më sot kur kanë kaluar 4 vite e gjysmë nga mandati i Presidentit dhe ai nuk është kundërshtuar qoftë dhe në një rast të vetëm nga kjo Gjykatë, ndërkohë që institucionet e tjera janë kontestuar nga kjo Gjykatë – tregojnë që këto akuza që i hidhen Presidentit janë të pabaza”-tha Topi.

Duke u ndalur tek Kosova dhe ritmin e ulët të njohjeve për këtë vit, presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi tha se procesi i njohjeve për Kosovën ka kaluar në një rrugëtim relativisht të gjatë dhe jo pak të lehtë, i cili megjithatë ka patur disa nota pozitive.

“Ka patur një impenjim qoftë të faktorit institucional të shtetit të ri të Kosovës, të diplomacisë së Kosovës, por dhe asaj të Shqipërisë me një suport të rëndësishëm të diplomacisë ndërkombëtare që Kosova të njihet nga sa më shumë shtete. Është e vërtetë që 5 shtete të BE ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj dhe që është një çështje që lidhet totalisht me pozicionimet specifike të këtyre shteteve tashmë të deklaruara. Por duke patur parasysh që njohja është bërë nga vendet më të rëndësishme, nga pjesa dërmuese e BE-së, nga SHBA dhe mjaft vende të tjera me peshë në politikën botërore, gjithashtu dhe tendenca për një ripozicionim të vendeve që fillimisht kanë qenë skeptike duke dhënë premtime që do ta njohin, unë them që e ardhmja e këtij procesi është shumë optimiste”-tha Topi.

I pyetur lidhur me një vizitë të mundshme të homologut të tij serb Boris Tadiç në Shqipëri, Topi tha se ftesa për kreun serb të shtetit është bërë dhe qëdron në fuqi.

“Do të shihet si një mundësi kur vërtet palët, do të shohin të mundur realizmin e një vizite, e cila është pranuar për t’u realizuar. Kjo edhe mbi bazën e një ftese që vjen në kuadrin e një bashkëpunimi të nevojshëm bilateral që duhet të ketë Shqipëria me Serbinë dhe me çdo vend tjetër të rajonit. Unë mendoj se forcimi i marrëdhënieve me të gjithë shtetet e Ballkanit është një parakusht shumë i rëndësishëm, i konsolidimit të paqes afatgjatë në Ballkan dhe për të ndërtuar ura komunikimi për zhvillimin e ekonomisë por dhe për komunikime të njerëzve në një rajon, i cili ka ikur prej kohësh nga konfliktet ndëretnike”-tha Topi. (LajmeShqip.com)