Lajme Shqip Saturday, 30 April 2011 17:51

Tiranë – “Beteja kundër kancerit është një betejë që fitohet nëse diagnostikohet dhe parandalohet në kohë. Vetëkontrolli është një detyrim për çdo nënë, për çdo grua”, tha sot kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në Kongresin e Parë të Mesdheut për Kancerin, që po zhvillon punimet në Tiranë.

Në përshendetjen e saj, Topalli vuri theksin në rëndësinë dhe domosdoshmërinë e ndërgjegjësimit, së pari të vetë gruas si faktori kyç në përballimin dhe kapërcimin apo sfidimin e kësaj sëmundjeje të rëndë dhe së dyti, në atë të vetë shoqërisë dhe aktorëve të saj. “Unë kam bindjen e plotë se parandalimi i sëmundjes së kancerit përmes diagnostikimit në kohë është një hap thelbësor në këtë betejë, se beteja kundër kancerit është një betejë që fitohet nëse krahas trajtimit mjekësor, të gjithë aktorët e shoqërisë, përfshihen në këtë betejë”, tha Kryetarja e Kuvendit.

Më tej, kryetarja e Kuvendit vuri në dukje se veç nisjes dhe implementimit të projekteve të ndryshme, qeverisja aktuale i ka kushtuar përballimit të kësaj sëmundjeje rritje të fondeve në buxhetin e shtetit për investime në infrastrukturën e aparateve diagnostikuese si skanera, mamografë të rinj dixhitalë, kite për Pap testin, Gamakancer, pajisje për ekzaminime radiologjike ekoje, si dhe akseleratorë lineare.

“Gjatë fushatës për sensibilizim në shumë qytete dhe zona të largëta unë kam takuar gra kurajoze që janë përleshur, janë përballuar dhe e kanë mundur kancerin, gra të cilat i kanë kthyer historitë e tyre në shembuj guximi që më kanë inkurajuar për të kuptuar se ky mision vlen e duhet të vazhdojë. Kur i cilësoj ato gra heroina, i ndjej si të tilla, sepse ato që sfidojnë këtë sëmundje me kurajo dhe që tashmë janë në radhët e para për të rritur ndërgjegjësimin e grave dhe opinionit publik se kjo betejë është shpesh shumë e vështirë, por jo e pamundur për t’u fituar,” tha Kryetarja e Kuvendit. Ndaj, Topalli e konsideroi prioritar ndërgjegjësimin e gruas shqiptare mbi domosdoshmërinë e kontrollove në kohë dhe të vazhdueshme që i shërben drejtpërsëdrejti diagnostikimit të hershëm të sëmundjes dhe parandalimit të saj.

Në Europë mbi 200 mijë gra në vit diagnostikohen me kancer të gjirit. Cdo 13 minuta një grua në botë vdes nga kanceri i gjirit. Ndërsa, në Shqipëri numërohen rreth 400 raste të reja në vit.