Lajme Shqip Thursday, 13 October 2011 12:04

Tiranë- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u takua sot me Kreun e Delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, i cili i dorëzoi zyrtarisht Progres-Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë 2011.

“Ky raport, tha kryeparlamentarja, do të jetë axhenda e parlamentit dhe çdo kapitull i tij do të lexohet me vëmendje. Ligjet e kërkuara do të jenë gjithmonë në rend të ditës dhe çdo çështje e ngritur do të jetë platformë e punës sonë”.

“Shqiptarët, tha ajo, janë një popull europian, me vokacion perëndimor dhe që dinë të përdorin potencialin e tyre. Ne jemi të vendosur tërësisht në përmbushjen e aspiratës së tyre integruese”.

Topalli tha se raportin do ua dorëzojë krerëve të grupeve parlamentare duke i ftuar edhe një herë ata të punojmë së bashku për reformat dhe ligjet integruese.

“Integrimi është një objektiv parësor kombëtar dhe në parlament të gjithë deputetët kanë detyrën të reflektojnë këtë mendim unanim të qytetarëve, përmes votës së tyre. Bojkoti dhe bllokimi kanë dëmtuar Shqipërinë dhe si Kryetare e Kuvendit dhe si politikane ndihem keq që për interesat personale të dikujt, të dëmtohen qytetarët”, nënvizoi ajo.

Nga ana e tij ambasadori Sequi vlerësoi angazhimin për ta bërë raportin në një axhendë parlamentare. “Integrimi, theksoi ai, është dhe duhet të jetë një objektiv mbarëkombëtar.Ne mbetemi të gatshëm, të punojmë së bashku  për të ecur përpara në rrugën drejt integrimit evropian”.