Shkodër – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u shpreh sot nga Shkodra, ku ishte e pranishme në përkujtimin e demonstratës antikomuniste të 14 janarit të vitit 1990 në qytetin verior, se “14 janari, realisht ishte lëvizja e parë antikomuniste në Shqipëri”.
E pranishme në përkujtimin e demonstratës antikomuniste të 14 janarit 1990 në qytetin e Shkodrës, lëvizje e cila konsistoi në largimin e bustit të Stalinit nga qëndra e qytetit të Shkodrës, Topalli vlerësoi maksimalisht të gjithë organizatorët e kësaj demonstrate që ka hyrë në historinë e Shqipërisë si e para e këtij lloji në vendin tonë.
Duke i bërë jehonë ngjarjes së 22 viteve më parë, kryetarja e Kuvendit veçoi ndër protagonistët e asaj dite, qytetarin shkodran Rini Munajka, i arrestuar, torturuar dhe më pas i ndarë nga jeta ,si pasojë e këtyre torturave.
Të njëjtin vlerësim ajo përcolli edhe për pjesëtarët e tjerë të kësaj demonstrate, si Ded Kasneci, Gjergj Livadhi, Kolec Hublina, Nikolin Thana, Tonin Dema, Flamur Elbasani, Nikolin Përgjini, etj, të cilët ishin pjesë aktive e kësaj demonstrate.
Duke iu referuar apelit të dy prej pjesëtarëve të shoqatës “14 janari”, Filip Guraziu dhe Kastriot Kaxhi, Topalli siguroi se mbështeste apelin e tyre për të shkruar historinë, ku të thuhen të vërtetat, ashtu siç janë.
Kryetarja e Kuvendit solli në vëmendje se lëvizja e parë antikomuniste është bërë në Malësinë e Madhe, më pas në Postribë, në vitin 1946, ndërkohë që lëvizja e parë antikomuniste në Shqipëri, sipas saj, është ajo e 11 Janarit 1990 dhe e finalizuar në 14 janar, ku një qytet i tërë jetonte me ata që guxuan të qëllonin mbi bustin e Stalinit.
Gjatë fjalës së saj, zonja Topalli evidentoi edhe pjesëmarrjen e gruas shkodrane në këtë demonstratë, duke veçuar Huana Krajën dhe Keti Koçin, duke shprehur në emër të Kuvendit të Shqipërisë mirënjohjen më të thellë dhe nderimin më të madh për to.
“Në vend të atij busti që u rrëzua, sot kemi Luigj Gurakuqin, një ndër figurat kryesore që bëri të mundur ngritjen e flamurit në Vlorë. Natyrisht jemi krenarë që kemi edhe bustet e figurave të tjerë si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, të atyre që qenë liderat e kohës të kryengritjeve të kohës të jashtëzakonshme”, tha Topalli.
Saturday, 14 January 2012 15:45