Lajme Shqip Monday, 19 September 2011 13:57

Tiranë – Në një konferencë për shtyp, kryeparlamentarja i është përgjigjur kreut të PS-së Edi Rama i cili deklaroi se Topalli e ka kundërshtuar draftin e PS-së për reformën parlamentare ende pa e marrë atë.

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka deklaruar se mazhoranca është e gatshme të shqyrtojë çdo propozim të opozitës i cili do të çojë në përsosjen e standarteve por nuk do të lejojmë asnjë tentativë që synon bllokimin e procesit të integrimit.

“Unë nuk mund të rrëzoj diçka që nuk e kam ende në dorë. Kryetarja e kuvendit mirëpret çdo inisiativë që çon në përsosjen e standarteve. E vetmja gjë kur unë jam xheloze është standarti” ka theksuar Topalli.

E pyetur për deklaratën e kreut të PS-së për tërheqjen e drafteve të bëra sa për t`i hedhur hi syve Brukselit, Topalli ka theksuar se në këtë mënyrë nuk kemi të bëjmë me kurs te ri, por me një bllokim. “Bllokimi dhe bojkoti ka dëmtuar integrimin, humbën dy vite, koha nuk pret, nuk të fal më për bllokim.

Nëse dikush kërkon që mes kursit të vjetër të bllokojë sërish kjo do ishte shumë e rëndë dhe do mbajë përgjegjësi. Ligjet nuk janë as arma as zhele, për to duhet pasur më shumë respekt”- theksoi Topalli.