Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 15:24

Tiranë – Nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, deklaroi sot se “në rrafsh kombëtar, koalicioni “Aleanca për Qytetarin” është aleanca kryesore e vendit”, ndërsa i cilësoi numëruesit dhe komisionerët, “heronjtë e ditës, pasi Shqipëria i ka sytë tek ata”.

Në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së, Topalli i ftoi komisionerët dhe numëruesit qe të vazhdojnë me përkushtim, numërimin e çdo vote dhe zbatimin e plotë të ligjit siç kanë bërë deri më tani.

“Ky proces ende nuk ka përfunduar, prandaj ne jemi të vendosur ashtu siç ju kemi premtuar, të presim me qetësi rezultatet e shpallura nga komisionet zonale të qeverisjes vendore si dhe çertifikimin e tyre nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve”, tha nënkryetarja e PD-së.

Topalli vuri në dukje se shqiptarët dje kanë votuar për administratorët lokale në paqe, qetësi dhe rregull, si europianë nga Tropoja deri në Delvinë, ndërsa nënvizoi se “procesi ka të gjitha garancitë të përmbyllet me sukses ashtu siç nisi dhe vazhdoi gjatë gjithë këtij muaji”.

Gjithashtu, përfaqësuesja e selisë blu ftoi kreun e PS-së, Edi Rama, të deklarohet se do të njohë rezultatet në çdo bashki dhe në çdo komunë. “Kjo do të ishte një nga surprizat më të mëdha në historinë e zgjedhjeve të Shqipërisë”, deklaroi Topalli.

“Administratorët lokale duhet të kurorëzohen ashtu siç u votuan dje, nga votuesit e tyre në Bashki dhe komuna me dinjitet europian”, tha nënkryetarja e PD-së, ndërsa përfundoi duke uruar gjithë shqiptarët për Ditën e Europës.