Tiranë – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti sot në takim Zëvendëspresidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Volfgang Grosruk.
Pasi e uroi zotin Grosruk për rizgjedhjen e tij në këtë detyrë, Kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë për nivelin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe OSBE-së, si dhe për vizitën që pritet të një delegacioni nga parlamenti austriak.
Grosruk tha se kjo vizitë, që pritet të realizohet në shtator, është një tregues i rëndësishëm i marrëdhënieve të forta mes dy parlamenteve.
Kryetarja e Kuvendit tha se, do të ishte një kënaqësi për të dhe për Kuvendin e Shqipërisë vizita e një delegacioni kaq të madh nga parlamenti i Austrisë, vizitë që do të shërbejë në forcimin edhe më tej të bashkëpunimit, jo vetëm parlamentar por edhe mes dy vendeve.
Duke u ndalur edhe në zgjedhjet e fundit në Shqipëri, Kryetarja e Kuvendit tha se, këto ishin zgjedhjet më të arrira, ku u realizua një nga standardet më të larta të numërimit të çdo vote. “Zgjedhjet treguan se në Shqipëri sistemi dhe demokracia funksionoi dhe vullneti i qytetarëve u lexua.”
Biseda më tej u ndal në vijimin e bashkëpunimit parlamentar mes Shqipërisë dhe Austrisë, por edhe me Asamblenë Parlamentare të OSBE-së.
Tuesday, 02 August 2011 17:59