Tiranë – Libra të rinj të autorëve shqiptarë e të huaj janë botuar këtë javë duke ju shtuar stendave të librarive në kryeqytet.
“Nga diktatura në demokraci” nga Gene Sharp. Libri u botua fillimisht në Bangkok në vitin 1993 e qysh nga ajo kohë i është atribuar suksesi i shumë revolucioneve pa dhunë nga Indonezia në Serbi apo në vendet e botës arabe. Autori i tij Gene Sharp (1928), është shumë pak i njohur për amerikanët, por, shkrimet e tij praktike mbi luftën pa dhunë, kanë frymëzuar disidentët në të gjithë botën. Botues është “Pika pa sipërfaqe” dhe kushton 600 lekë. 
“Walter Isaacson” Steve Jobs. Kjo është biografia e autorizuar e Steve Jobsit. Isaacson, një nga menaxherët e CNN-it dhe revistës Times, u bazua në intervistat e dy viteve të fundit të Jobs-it dhe në dëshmitë e familjarëve, miqve, konkurrentëve. Libri rrëfen jetën e themeluesit të kompanisë Apple nga lindja e deri në vdekje, vitin e kaluar. Ky libër është botuar nga shtëpia botuese “Pegi” dhe kushton 1200 lekë.
“Pranvera e lirisë ’81” nga Jakup Krasniqi. Demonstrata e vitit 1981 në histori ka hyrë me emra të ndryshëm, si: Pranvera Studentore, ngjarjet e vitit 1981, demonstrata e vitit 1981, Pranvera Shqiptare etj. Krasniqi bën një analizë të kësaj lëvizjeje, origjina e së cilës shihet te ndikimi i organizatave që ishin themeluar në vitet ’60-’70 të shek.XX në Kosovë. Libri është botuar nga “Buzuku”. 
“Gjeneral De Gol, historia e jashtëzakonshme e liderit të Francës moderne” nga Éric Roussel. Kjo biografi na njeh jo vetëm me jetën e De Golit, por nëpërmjet tij zbulon edhe momente të rëndësishme historike, vendime e marrëveshje në Europën e gjysmës së parë të shekullit XX. Libri është botuar nga shtëpia botuese “Botart” dhe kushton 1000 lekë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 09 June 2012 17:05