Lajme Shqip Monday, 30 May 2011 15:13

Tiranë – Shqipëria nuk ka raste të dyshuara sa i përket prekjes nga virusi E. Coli, i përhapur në disa vende evropiane, kryesisht në Gjermani, u shpreh sot ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.

Të dhënat flasin për 1200 raste të kontaminuara me këtë virus në Gjemani, kryesisht në zonën Veriore dhe 10 raste me vdekje, ndërsa gjeografia e përhapjes është shtrirë me raste edhe në Danimarkë, Angli, Suedi, Holandë, Çeki, Spanjë.

“Ka pasur një histori përhapjeje që ka prekur më fort Evropën Veriore. Gjithashtu, më i prekur është Veriu i Gjermanisë”, tha Vasili, në një konferencë për shtyp.

Ai shtoi se “pavarësisht se Shqipëria ka një qetësi epidemike në këtë pikë, sistemi i alertit kombëtar është evidentimi i çdo lloj shenje që lidhet me këtë simptomalogji dhe vëmendja e shtuar e qytetarëve që nëse vërejnë një shenjë të tillë t’u drejtohen autoriteteve mjekësore”.

Sipas tij, duhet të jenë më të vëmendshëm personat që kanë lëvizur në vendet e kontaminuara me këtë virus, që janë më të ngarkuara, si dhe vende të tjera skandinave.

Masat e rekomanduara janë masa të forta higjieno-sanitare, përpunimi me kujdes i perimeve, larja e tyre me kujdes, larja me kujdes e mjeteve, me të cilat operohet me perimet dhe mbajtja e higjienës vetjake. Për perimet që përdoren të ziera, duhet që zierja e tyre të paktën për 10 minuta në 70 gradë Celsius.

Shkak i supozuar për këtë situatë kanë qenë zarzavatet, të importuara në Gjermani nga Spanja dhe nga Holanda në një numër më të kufizuar dhe këta janë të “akuzuarit” e parë dhe më kryesorët.

“Sa i takon rrezikut për Shqipërinë, ai është zero, pasi nuk ka importe nga këto vende dhe zarzavatet janë të prodhimit vendas kryesisht. Shqipëria është vend më pak i rrezikuar, por nuk kemi asnjë të drejtë të mos demonstrojmë sistem vigjilence”, tha ministri Vasili.

Shenjat kryesore janë të çrregullimit të gjakut dhe dëmtimit të veshkave, por në mënyrë normale shfaqja ka qenë edhe me diarre me gjak, ndjenja të theksuara të të vjellave dhe të përziera, që bëjnë të dyshohet një rast i tillë. Transmetimi tek njeriu është direkt apo indirekt nga kafshët. Rruga e transmetimit është fekalo-orale, kontakt me kafshët e infektuara (ose fecet), konsum i ujit apo ushqimeve të kontaminuar.