Lajme Shqip Friday, 27 May 2011 11:40

Tiranë – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, përshëndeti lajmin për arrestimin e kriminelit serb të akuzuar për krime lufte, Ratko Mlladiç.

“Arrestimi i kasapit të Bosnjës dhe Hercegovinës, Ratko Mlladiç, njërit prej figurave më të zeza dhe kriminale të Ballkanit, është një lajm i shumëpritur jo vetëm për qytetarët e Bosnje Hercegovinës, por për të gjithë qytetarët e Evropës e më tej. Gjykimi i tij nga Gjykata e Hagës është një lajm i mirë edhe për të afërmit e viktimave, të cilët përjetuan gjenocidin në zemër të Evropës”, thuhet në deklaratën për shtyp të kryetares Topalli.

“Sot të gjithë këta familjarë, që kanë humbur të dashurit e tyre nga terrori i Ratko Mlladiçit, janë pak më të lehtësuar, sepse sot pas 16 vitesh ata mund të shpresojnë tek drejtësia. Kjo është një ditë e shënuar për të mbyllur një kapitull të kobshëm të historisë së trishtueshme të shkaktuar nga kriminelët në Ballkan”, përfundon deklarata e kryetares së Kuvendit.