Lajme Shqip Friday, 20 May 2011 16:29

Tiranë – Pavarësia e institucioneve të drejtësisë dhe rolit të tyre në forcimin e shtetit të së drejtës, ishin temat kryesore të takimit të zhvilluar sot mes kryeprokurores Ina Rama me ambasadorin e OSBE-së, Eugen Wollfarth. Këtë e ka bërë të ditur, sot, në një njoftim për mediat, Prokuroria e Përgjithshme.

Sipas prokurorisë, në takimin e kryeprokurores Rama dhe ambasadorit Wollfarth, u vlerësua performanca e Prokurorisë Shqiptare si një nga hallkat e rëndësishme në ruajtjen dhe zbatimin e ligjit.

Mbështetja tek ligji, zbatimi me rigorozitet i tij dhe shmangia e çdo ndikimi ekstraligjor nga organet e drejtësisë, u theksua si një nga kushtet themeltarë të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe të demokracisë në vend.

Në këtë aspekt u trajtuan edhe çështje të veçanta, me të cilat ndeshet drejtësia shqiptare, si çështja e imuniteteve, hetimi i plotë dhe i gjithanshëm i proceseve të veçanta, si ato qq lidhen me ngjarjet e 21 janarit, transparenca dhe efektiviteti në gjykim.

Në vijim të takimit midis Kryeprokurores Ina Rama dhe ambasadorit të OSBE-, Eugen Wollfarth, u trajtuan edhe çështje mbi zhvillimet aktuale, që kanë të bëjnë me prosesin zgjedhor.

Wollfarth u shpreh se “gjatë këtij procesi është vërejtur se vendime të caktuara kërkojnë një interpretim ligjor, ndaj është e rëndësishme që trajtimi i tyre me profesionalizëm të ndikojë drejtpërdrejtë në zbutjen e qëndrimeve”.

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama duke ndarë të njëjtin qëndrim me ambasadorin Wollfarth, u shpreh se, “secili institucion duhet dhe e ka për detyrë të punojë në mënyrë të pavarur, bazuar në ligj dhe jashtë çdo ndërhyrjeje për të garantuar shtetin e së drejtës”.