Tiranë – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, inspektoi sot punimet në tunelet nëntokësore të sheshit “Skënderbej”.
I shoqëruar nga ekspertë e drejtues të Bashkisë, Rama tha se “ky është një projekt shumë kompleks, shumë spektakolar, është edhe një projekt shumë i vështirë, është i pari i këtij lloji në vendin tonë, një projekt që realizohet në një hapësire publike shumë strategjike për lëvizjen brenda për brenda qytetit dhe që kërkon, një bashkëpunim e mirëkuptim të madh, brenda të gjithë aktorëve dhe faktorëve, ku përfshihet si një faktor kryesor komuniteti dhe si aktor kryesor qytetari”.
Sipas tij, shifrat e këtyre volumeve janë vërtet mbresëlënëse, përsa i përket gjatësisë së këtij tuneli, përsa i përket infrastrukturës nëntokësore.
“Do të kemi për herë të parë një sistemim tërësisht modern dhe evropian të kësaj infrastrukture, në një hapësirë publike të kësaj natyre, disa kilometra për ujërat e bardha, për ujërat e zeza, për ujësjellësin, me një veçori shumë të rëndësishme sepse sheshi dhe gjithë Parku i Qendrës do të ketë një numër të konsiderueshëm pemësh që do të mbillen, do të pastrohen, njëkohësisht do të vaditen me ujin e shiut, ashtu sikundër dhe shatërvanët që do të jenë në shesh, janë shatërvanë që do të duken e zhduken, do të ngrihen e ulen, sipas nevojave dhe rasteve, në stinë të ndryshme, në momente të ndryshme”, tha Rama, i cili shtoi se “këto janë pjesë e një infrastrukture tërësisht të re, që ka edhe një karakteristikë bashkëkohore, përsa i përket respektit për mjedisin”.
Thursday, 28 April 2011 18:01