Tiranë – Në Qendrën Spitalore Universitare (QSUT) në Tiranë, tenderët e barnave duhet të kishin përfunduar në muajin prill dhe në maj duhet të ishte lidhur kontrata dhe të bëhej furnizimi. Por, jemi në mesin e muajit maj dhe ka përfunduar vetëm gjysma e tenderave.
Burime zyrtare të Drejtorisë së Qendrës Spitalore Universitare, shprehen se në spitale ka kohë që ka nisur të ndihet mungesa e medikamenteve.
Sipas Drejtorit të QSUT, vonesa në tenderë ka disa arsye. Fillimisht, lëvrimi i buxhetit për vitin 2011 u bë me vonesë. Më pas hyri në fuqi tatimi mbi vlerën e shtuar, gjë që kërkonte shtim fondi ose rrudhje të listës së barnave për përdorim spitalor.
Tashmë, lista është miratuar me barnat më të domosdoshme për secilën diagnozë. Një problem tjetër është mungesa e interesimit të kompanive farmaceutike. Kjo ndodhë pasi spitali i tenderon barnat me çmimin më të ulët të mundshëm, ndërkohë që importuesit i marrin me një çmim standard për të gjitha vendet, nga kompanitë prodhuese të medikamenteve.
Por, pavarësisht nga të gjitha arsyet, mungesa e barnave rëndon në xhepat e pacientëve, të cilët janë të detyruar t’i blejnë medikamentet në farmaci.
Tuesday, 17 May 2011 09:12