Tiranë – Operatorët turistikë polakë, mbas një infoturi të zhvilluar në datat 17 – 22 maj në Shqipëri e Kosovë, konkluduan se tregu turistik shqiptar ofron resurse e mundësi të pafundme turistike, si dhe parashikuan që të sjellin kontingjent të madh turistik në vendin tonë
Gjithashtu Bordi Drejtues i Dhomës së Turizmit Polak ofroi një stendë falas në Panairin e Varshavës, në shtator të këtij viti për prezantimin e turizmit shqiptar, si dhe parashikon të zhvillojë konferencën e saj vjetore, në tetor të këtij viti në Shqipëri, me 300 operatorët turistikë më të fuqishëm polakë.
Qëllimi i këtij infoturi ishte që të prezantoheshin mundësitë turistike më të mira në Shqipëri e Kosovë, në kuadër të Turizmit Rajonal, për tregun turistik polak.
Infoturi i 22 operatorëve polakë u mbështet në prezantimin e 5 komponentëve kryesorë të konsideruara si përparësi të turizmit shqiptar: prezantimi i zonës malore të Alpeve, të zonës bregdetare të Adriatikut dhe Jonit; prezantimi i objekteve kryesore historike e arkeologjike; prezantimi i infrastrukturës akomoduese në të gjitha zonat malore e bregdetare; prezantimi i traditës shqiptare të gatimit; evidentimi i mikpritjes tradicionale shqiptare.
Gjatë 6 ditëve të qëndrimit në Shqipëri e Kosovë programi përfshinte vizita turistike e historike si dhe qëndrime në Krujë, Shkodër, Lugina e Komanit, Lugina e Valbonës, Gjakova, Rahoveci, Prizreni, Durrësi, Apollonia, Vlora, Berati, Tirana, etj.
Ky infotur u zhvillua në kuadër të marrëveshjes dypalëshe të vitit 2009 mes Unionit të Operatorëve Turistikë Shqiptarë dhe Dhomës së Turizmit Polak, me qëllim prezantimin e mundësive dhe destinacioneve më të bukura turistike të vendit tonë.
Unioni i Operatorëve Turistikë Shqiptarë është një organizatë jo qeveritare turistike, që ka të anëtarësuar mbi 120 operatorë turistikë, agjenci turistike, transportues turistikë dhe OJF të profilit turistik.
Monday, 23 May 2011 14:44