Tiranë – Saimir Pirgu e Vikena Kamenica interpretuan mbrëm në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit operën “Verter”, një histori dashurie të pa shpresë, nën muzikën e Jules Massenet.
Opera lirike me katër akte, bazuar në veprën “Vuajtjet e djaloshit Verter” të Gëtes, është ngjitur për herë të parë në skenën e TKOB-së nga regjisorja italiane Patrizia Panton.
Ngjarjet zhvillohen në vitin 1780 në Frankfurt, ku në shtëpinë e Sharlotës po zhvillohet një festë. Mes të ftuarve është edhe i riu Verter, i cili pasi bie në dashuri me të, mëson se ajo i përket një mashkulli tjetër dhe beson se vetëm vdekja mund ta çlirojë nga trishtimi.
Tenori Saimir Pirgu, në një prononcim për ATSH-në, e ka cilësuar Verterin, të cilin ai e interpeton për herë të parë, si një nga rolet më të vështira të repertorit operistik që kërkon një disiplinë shumë të madhe vokale, duke vlerësuar shumë diksionin dhe mënyrën e të kënduarit.
“Jam munduar që të mos peshoj shumë në gjërat artistike se sa në vlerësimin e tingullit dhe të muzikës. Në këtë produksion vënd kryesor i është lënë më tepër muzikës dhe fjalës”, tha Pirgu.
Publiku e duartrokiti disa herë Pirgun gjatë interpretimit të tij, në një rol që përjeton gëzimin e dashurisë, por edhe dhimbjen e mos realizimit të saj e cila e çon drejt vdekjes.
Nën skenografinë e Platon Bardhit, artistët e TKOB-së sollën për publikun një histori pasioni dhe dashurie lidhur me një premtim që e bëri të pamundur lidhjen çiftit. Në role të tjera në “Verter” interpetuan Armando Likaj, Ulpiana Aliaj, Erlind Zeraliu, Edvin Kastrati, Solen Alla, Roel Llupa, Aplikejda Qirko, etj.
Mexosopranoja Vikena Kamenica është shprehur për këtë rol se është për të nga më të dashurit dhe të ëmblit, një vajzë lozonjare që mbart më pas trishtimin dhe dhimbjen e madhe nga humbja e dashurisë së saj.
“Unë them se kemi një nga veprat më pasionate dhe të bukura të historive lirike që do të vendosen në TKOB dhe publiku do të përjetojë të plotë atë emocion dhe dashuri që mbartin fjalët e Gëtes dhe muzika e Massenet”, tha Kamenica për ATSH-në.
Orkestra e TKOB-së interpretoi muzikën e “Verter” nën dirigjimin e Martin Zeller, ndërkohë që shfaqja është me libret të Edouard Blau, Paul Millet dhe Georges Hartmann.
Opera franceze ka një bazë të fuqishme autobiografike të Gëtes dhe pjesa më e madhe e veprës paraqitet si një koleksion letrash të shkruara nga Verteri, një artist i ri me një ndjeshmëri të lartë dhe temperament pasional.
Vuajtjet e djaloshit Verter, që risollën Saimir Pirgun pas shfaqjes në La Scala në TKOB, do të mund të shihen nga publiku edhe mbrëmjet e datave 22, 24, 26 prill.
Ngjarjet zhvillohen në vitet 1780 në Frankfurt. Në shtëpinë e Sharlotës po zhvillohet një festë ku mes të ftuarve është edhe i riu Verter, i cili bie në dashuri me Sharlotën, që në fakt ishte e fejuar me Albertin, shumë më i madh se ajo. Kjo e detyron të largohet nga fshati e të shkojë në Vajuar, por kur kthehet e gjen Sharlotën të martuar. Kjo e fundit për shkak të betimit për besnikëri ndaj burrit refuzon të pranojë faktin që është e dashuruar me të riun Verter. Vetëm në momentet e fundit të jetës, Sharlota i rrëfen sekretin e madh të zemrës, se edhe ajo e ka dashur gjithmonë dhe ka sakrifikuar ndjenjat e saj të vërteta vetëm për shkak të një betimi. Më në fund Verter gjen lumturinë dhe vdes i lumtur pas këtij rrëfimi.
Thursday, 21 April 2011 06:29