Lajme Shqip Monday, 26 November 2012 19:20

TIRANE-Në kuadër të festës së Pavarësisë, kryeqytetit i shtohet një dekor simbolik : skulptura monumentale e shqiponjës dykrenare, e cila synon të shndërrohet në një ikonë për qytetin e Tiranës.

Në ceremoninë e përurimit të simbolit kombëtar morën pjesë kryeministri Sali Berisha, kryebashkiaku z. Lulzim Basha dhe z. Lazim Destani, biznesmen dhe filantrop i njohur i cili kontribuoi personalisht për realizimin e këtij projekti.

“Fillimisht, dua të falënderoj autoritetet e vendit dhe gjithë qytetarët e Tiranës për realizimin e këtij projekti simbolik të krenarisë sonë kombëtare. Në këtë moment të veçantë për mua dhe familjen time, falënderoj Zotin që arritëm t’ia dhurojmë kombit këtë shqiponjë dy-krenare të cilën çdo shqiptar e ka në zemër”-theksoi z. Destani.

z. Lazim Destani, njihet gjithandej për rolin dhe kontributin e tij të çmuar në çështjet dhe mbështetje të zhvillimet të komunitetit shqiptar, si dhe një biznesmen i suksesshëm i cili aktualisht është Kryetar Bordi i disa kompanive të njohura të drejtuara nga familja e tij.
“Ta zhvillojmë ekonominë e atdheut për të siguruar lumturi për brezat që vijnë. Kontributi ynë për zhvillimin ekonomik e shoqëror të trojeve tona është mirënjohja më e mirë ndaj përpjekjeve brez pas brezi dhe amanetit të të parëve tanë për ta bërë Shqipërinë të lirë, të pavarur e të fuqishme.”-theksoi z. Destani.

Ai konsiderohet një filantrop i shquar, i cili falë iniciativave të tij ka dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë në ndërtimin e shkollave, implementimin e iniciativave mjedisore e komunale dhe duke dhënë ndihma të ndryshme humanitare.
Monumenti-skulpturë i shqiponjës dy-krenare, simbol krenarie për gjithë shqiptarët ndodhet në kryqëzimin e Doganës dhe peshon plot prej 16 ton çelik.

Me vendim të Këshillit Bashkiak të kryeqytetit ky rrethrrotullimi do të quhet “Sheshi Shqiponja’ dhe së shpejti synon të kthehet në një pikë referimi për qytetin si ditën ashtu edhe natën. Me anë të një një pajisje të veçantë do të sigurohet ndriçimi me ngjyrë të kuqe për të ri-krijuar ngjyrën e sfondit të flamurit kombëtar. (LajmeShqip.com)