Tiranë – Partia Demokratike bëri sërish thirrje sot për një proces zgjedhor të drejtë, transparent dhe të saktë, ku çdo votë të numërohet dhe zëri i çdo qytetari të dëgjohet.
Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj, ritheksoi qëndrimin për rivlerësimin e votave të kontestuara, pa marrë parasysh se cili do të ishte rezultati aktual për zgjedhjet në Tiranë dhe ndikimi i rivlerësimit të këtyre votave në rezultatin përfundimtar.
“PD ka marrë këtë vendim, në mënyrë që së pari të garantohet vlerësimi më i drejtë i çdo vote e çdo zëri të qytetarëve shqiptarë, si dhe për faktin se sistemi ynë zgjedhor ka kontestin si procesin kryesor të garancisë për transparencë të votës”, tha ajo.
Megjithëse ekziston një numër i vogël votash të kontestuara dhe shqyrtimi i tyre nuk ka gjasa të ndryshojë shumë rezultatin e zgjedhjeve në njërin apo tjetrin drejtim, PD beson se zëri i të gjithë qytetarëve duhet të dëgjohet në këtë proces me një standard të njësuar.
“Deri tani, zëri i disa qytetarëve është bërë i pavlefshëm nga njëra ose tjetra palë, dhe nëse pala kontestuese beson se ato vota janë të vlefshme, atëherë ato vota duhet të rivlerësohen në mënyrë që zëri i çdo qytetari të dëgjohet, dhe sistemi zgjedhor të funksionojë plotësisht në përputhje me ligjin”, tha Mustafaraj.
Gjithashtu ajo vuri në dukje se Partia Demokratike ka vendosur të përjashtojë nga kërkesa për rivlerësimin e votave dy kuti votimi, në të cilin Edi Rama ka fituar me më shumë se 200 vota, por që të gjitha fletët e votimit në këto kuti ishin hedhur së bashku me kundrafletët. Sipas Mustafarajt, PD përjashton nga kërkesa për rivlerësim këto kuti, pasi ka si kriter themelor të vlefshmërisë së votës, shprehjen e qartë të vullnetit të zgjedhësit.
“Ne mendojmë në këtë rast, se të mbysësh zërin e mbi 1000 qytetarëve për shkak se zyrtarët e zgjedhjeve nuk kanë hequr kundrafletën është e papranueshme, pavarësisht nga avantazhi zgjedhor që kjo kërkesë do të mund të sillte”, tha Mustafaraj.
Ajo theksoi se “çështjet teknike nuk duhet të pengojnë respektimin e vullnetit të votuesit dhe shprehjen e tij në rezultatin përfundimtar, por duhet të dëgjohet zëri i të gjithë qytetarëve”.
“Partia Demokratike ka besim se KQZ-ja do të zbatojë një standard të njehsuar pavarësisht se për cilin shkon vota, dhe do ta transmetojë shqyrtimin e votave drejtpërdrejt në media për të garantuar transparencën me të cilën ka punuar deri më sot”, tha Mustafaraj.
Friday, 27 May 2011 17:06