Tiranë – Kandidati demokrat për kryetar bashkie në Tiranë, Lulzim Basha është në avantazh me 89 vota ndaj rivalit të tij socialist Edi Rama, një rezultat ky nga numërimi i votave të hedhura gabim në disa qendra votimi, gjatë procesit zgjedhor të 8 majit.
Procesi i numërimit do të vijojë të dielën në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ) që në fillim të kësaj jave vendosi të vlerësojë votat e hedhura gabimisht nga zgjedhësit në kutitë e tjera, kur dihet se në Tiranë votohet në katër kuti, përkatësisht për kryetarin e bashkisë së madhe, për kryetarët e 11 minibashkive, këshillin bashkiak dhe këshillat e minibashkive.
Gjatë mbledhjes së sotme të KQZ-së pritet të numërohen votat e hedhura gabim, në tetë kutitë e fundit të KZAZ-së nr. 49, që i takojnë njësisës bashkiake 5. KQZ numëroi deri në orët e mesnatës 14 kuti të kësaj njësie, nga 22 që ishin në total, një proces që u ndërpre për ta rinisur paraditen e sotme.
Gjatë vlerësimit të votave të hedhura gabim, i kundërshtuar nga përfaqësuesit e opozitës në KQZ, janë hapur 104 kuti nga tetë KZAZ të Tiranës, ku kandidati Basha deri më tani ka marrë 164 vota, ndërsa kandidati Rama ka marrë 75 vota.
Më 14 maj, kur edhe përfudoi procesi i numërimit të kutive për kryetar bashkie në 11 minibashkitë e kryeqytetit, kandidati Rama kryesonte me 10 vota, por me vlerësimin e votave të hedhura gabim, ky rezultat duket se është përmbysur. Një vendim i tillë kundërshtohet me forcë nga opozita, që vazhdon të protestojë prej ditësh në mjediset e jashtme të KQZ-së.
Sunday, 22 May 2011 11:07