Lajme Shqip Friday, 20 May 2011 10:33

Tiranë – Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve është mbledhur sot rreth orës 09:00 për të vijuar numërimin e fletëve të kontestura, të cilat do të përfshihen në tabelën përfundimtare të rezultateve për kryetarin e bashkisë në Tiranë.

Deri të enjten në mbrëmje (ora 22:00) KQZ-ja numëroi 52 kuti votimi nga 65 gjithsej, ndërkohë që sot pritet të numërohen 13 kuti të tjera me fletë të pavlerësura.

Nga numërimi i deritanishëm rezultojnë 80 vota në favor të kandidatit të “Aleancës për Qytetarin” Lulzim Basha kundrej 31 votave për kandidatin e “Aleancës për të Ardhmen”, Edi Rama.

Ndërkohë, numërimi i fletëve të kontestuara prej ditësh po shoqërohet me tension jashtë godinës së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, ku deputetë dhe mbështetës të PS-së, shpeshherë janë konfliktuar me forcat e rendit, të cilat janë pozicionuar prej ditësh pranë këtij institucioni.