Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi shqyrtimin e kërkesave ankimore të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste lidhur me tabelat e rezultateve përmbledhëse të bashkisë në Tiranë.
Përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genc Gjonçaj, kundërshtoi ankimimin e PD-së, duke e quajtur atë të pabazuar në ligj dhe që synon të ngatërrojë më shumë procesin.
Ndërsa, përfaqësuesi ligjor i PD-së, Njazi Kosovrasti, kundërshtoi argumentet e Gjonçajt, duke theksuar se është e drejtë e subjektit të bëjë ankimimin përkatës dhe është KQZ ajo që duhet të vendosë për këtë. Ai nënvizoi se gjithçka është në përputhje me ligjin, ndërkohë që KQZ ka funksionuar si KZAZ e Tiranës.
Kërkesat e depozituara në Komision, dy nga PS dhe një nga PD, sipas KQZ-së, bazohen mbi të njëjtën problematikë: kundërshtimin e tabelës përmbledhëse dhe kundërshtimin e rezultatit për bashkinë e Tiranës.
Në dy ankimimet e PS-së kërkohet shfuqizimi i vendimit të KQZ-së, që pas numërimit të votave të vlefshme të hedhura në kutitë e gabuara, nxori fitues kandidatin demokrat Lulzim Basha.
Ndërsa, në kërkesën e saj, PD kërkon rivlerësim për një numër votash të konsideruara të kontestuara në disa KZAZ të Tiranës.
Tuesday, 31 May 2011 10:53