Tiranë – Rreth 66 familje në qarkun e Tiranës përfitonin pagesën e ndihmës ekonomike në mënyrë abuzive dhe jashtë kritereve, sipas drejtorisë Rajonale të Ndihmës Ekonomike.
Nga inspektimet e fundit në tetë Njësi të Qeverisjes Vendore, nga 39 të tilla që ka qarku i Tiranës, u konstatuan 66 raste abuzimesh me një efekt financiar 605.000 lekë, ku familjet në skemën e ndihmës ekonomike e përfitonin në mënyrë abuzive dhe jashtë kritereve këtë pagesë. Nga 66 familje të evidentuara si raste abuzive në skemën e ndihmës ekonomike, 50 familje janë trajtuar nga ana e Këshillave Vendorë jashtë kritereve të përcaktuara në kuadrin ligjor.
Gjatë vitit 2010 në skemën e ndihmës ekonomike u trajtuan rreth 97 508 familje. Këtë vit u inspektuan dhe riinspektuar 493 Njësi të Qeverisjes Vendore, ku u konstatuan rreth 5752 raste me një efekt financiar 20.500.000 lekë ku familjet ne skemen e ndihmes ekonomike e perfitonin në mënyrë abuzive dhe jashtë kritereve këtë pagesë. Gjithashtu u konstatuan dhe 764 raste si pagesa të padrejta të pagesës së personave me aftësi të kufizuar, me një efekt financiar prej 9.501.000 lekësh.
Për të gjitha këto raste u la detyrë largimi i menjëhershëm i këtyre familjeve nga skema e ndihmës ekonomike si dhe kthimi i shumave të përfituara padrejtësisht. Për personat përgjegjës janë propozuar masat përkatëse. Kështu për vitin 2010 janë propozuar gjithsejt 155 masa administrative të ndara këto në 7 largime nga puna, 119 vërejtje me paralajmërim për largim nga detyra si dhe 29 gjoba me nga një dhe dy paga, për personat përgjegjës.
Friday, 27 May 2011 14:13