Lajme Shqip Thursday, 26 May 2011 16:14

Tiranë – Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë përshëndeti sot  arrestimin në Serbi, të të shumë kërkuarit nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish- Jugosllavi, Ratko Mlladiç, të akuzuar për genocid dhe krime ndaj njerëzimit.

Në një deklaratë për shtyp të kësaj ministrie theksohet se “arrestimi i gjeneralit famëkeq, përgjegjës për vrasjen e mijëra qytetarëve të pafajshëm, është një dëshmi se të gjithë ata që kanë kryer krime kundër njerëzimit herët a vonë do të përgjigjen para drejtësisë”.

Ky është një sinjal tepër pozitiv për çuarjen para drejtësisë të kriminelëve të luftës, por edhe për lehtësimin sadopak të dhimbjeve të të afërmve të qindra mijëra viktimave të pafajshme, të luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi, thuhet në deklaratë.

Ministria e Punëve të Jashtme shpreh besimin se ky akt do të pasohet edhe me arrestimin e shpejtë të të kërkuarve të tjerë dhe kjo do t’i shërbejë ndërtimit të marrëdhënieve më të mira midis vendeve të rajonit dhe proceseve integruese në rajon.