Tiranë – Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë përshëndet vendimin më të fundit të Bashkimit Evropian për fillimin e dialogut për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën në hapësirën Shengen në fund të vitit, vendim që do të kompletojë këtë proces në Ballkanin Perëndimor.
Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se “nisja e dialogut për liberalizimin e vizave, si dhe angazhimi i Komisionit Evropian për arritjen e një marrëveshjeje të re tregtare të BE-së me Kosovën, janë një dëshmi dhe vlerësim për progresin e arritur në ndërtimin e institucioneve të shtetit ligjor, duke e bërë njëkohësisht më të qartë, më të prekshme e më konkrete perspektivën evropiane të Kosovës”.
“Duke uruar popullin e Kosovës për këtë arritje të merituar, mbështesim dhe inkurajojmë Qeverinë e Kosovës të vazhdojë rrugën e nisur të reformave integruese, që i afron gjithnjë e më shumë me vlerat e familjes së madhe evropiane”, thuhet në deklaratën për mediat të MPJ-së.
Thursday, 13 October 2011 09:02