Tiranë – Kryetari i LSI-së, Ilir Meta e cilësoi, mbrëmë, si “mjaft pozitive rezultatin e arritur në zgjedhjet vendore të 8 majit, rezultat i cili do të jetë pikënisje për zgjedhjet e ardhshme të 2013-ës”.
Gjatë një takimi me kryetarë të LSI-së në rrethe, Meta tha se, “në këto zgjedhje, LSI mori 45 mijë vota më shumë se sa në zgjedhjet e fundit të vitit 2009”. Por, sipas tij “ky rezultat duhet t’i nënshtrohet një analize të plotë dhe të hollësishme, jo vetëm atje ku rezultatet kanë qenë shumë më të mira, por edhe ku nuk kemi arritur rezultatet e pritshme”.
Duke falënderuar 120 mijë votuesit e kësaj force politike në shkallë vendi, Meta e cilësoi këtë si “konfirmim i qartë i besimit që qytetarët shqiptarë kanë për politikën e drejtë, që ka ndjekur LSI që nga 2009 dhe i vendimeve të rëndësishme që i kanë shërbyer vendit”.
Sipas tij, në këto zgjedhje LSI u konfirmua si një forcë e domosdoshme për stabilitetin e vendit, modernizimin e tij dhe shtimin e kontributeve të saj në drejtim të procesit integrues.
Duke i cilësuar këto zgjedhje si “më transparentet në vendin tonë”, kreu i LSI-së, kërkoi nga drejtuesit e kësaj force politike që, rezultati i arritur t’i nënshtrohet një analize të plotë dhe të hollësishme.
“Besoj se në këtë analizë, do të dimë të krijojmë jo vetëm një platformë më të fuqishme organizative, por mbi të gjitha, edhe të reflektojmë gjithçka që kemi ndeshur në këtë fushatë, në mënyrë që edhe platforma jonë politike të jetë edhe më e plotë, më e qartë dhe më reflektuese ndaj asaj që kërkojnë votuesit dhe qytetarët”, nënvizoi Meta.
Ai bëri të ditur se brenda kësaj jave, LSI do të mbledhë Këshillin Drejtues Kombëtar, ku do të vendosë për platformën e analizës së këtyre rezultateve, në bazë të së cilës do të mblidhet Konventa Kombëtare e LSI-së.
“Ky kalendar do të shoqërohet me një zgjerim të mëtejshme të radhëve të LSI-së, ripërtëritje të strukturave të saj, në mënyrë që çdo përfaqësues i LSI-së të ketë legjitimitetin e duhur në bazë, tek anëtarësia dhe në radhë të parë tek votuesit”, përfundoi kreu i LSI-së, Ilir Meta.
Tuesday, 24 May 2011 07:59