Lajme Shqip Thursday, 26 May 2011 11:39

Tiranë – Me një agjendë të ngjeshur pune, Kuvendi rinisi sot punimet në seancë plenare, të ndërprera për shkak të procesit zgjedhor të 8 majit.

Rendi i punimeve të seancës së sotme, ku përfshihen rreth 16 pika, parashikon ndër të tjera, diskutimin e marrëveshjes ndërmjet qeverisë dhe Bankës Islamike për Zhvillim në financimin e projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, aderimin e Shqipërisë “Në ndryshimet e neneve të marrëveshjes së FMN-së për zgjerimin e përfaqësimit dhe të pjesëmarrjes si dhe për zgjerimin e autoritetit investues të Fondit”, etj.

Seanca parashikon, gjithashtu, miratimin e një akti normativ “Për zhvillimin dhe pjesëmarrjen e Forcave Ushtarake të Britanisë së Madhe në stërvitjen e përbashkët detare-amfibe “Albanian Lion 2011” dhe votimin e një sërë pr/rezolutash lidhur me vlerësimin e veprimtarisë së disa institucioneve gjatë vitit 2010, si KKRT-ja, RTSH-ja, Avokati i Popullit, ERE, AKEP, KSHC etj.

Pika e fundit e punimeve të sotme në parlament janë diskutimet për çështje jashtë rendit të ditës.

Në këtë seancë, ku mungojnë deputetët e opozitës, në shenjë kontestimi ndaj rezultateve të KQZ-së për kryetarin e bashkisë Tiranë, janë dy deputetë të grupit parlamentar socialist, Kastriot Islami dhe Andis Harasani, të cilët kanë thyer bojkotin e grupit të PS-së.