Lajme Shqip Monday, 23 May 2011 06:26

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rinisi të dielën pasdite procesin e numërimit të fletëvotimeve të hedhura në kuti të gabuara nga zgjedhësit, gjatë procesit të votimit të 8 majit në bashkinë e Tiranës.

Fletëvotimet që vijojnë të vlerësohen nga KQZ, i përkasin KZAZ-së nr. 49, njësia bashkiake 5.

Komisioni u përfshi nga debatet, pasi në vijim të numërimit të fletëve të votimit të hedhura në kuti të gabuara për minibashkinë numër 5, u gjetën edhe fletë për këshillat bashkiak.

Përfaqësuesit e opozitës kërkuan që KQZ të mos hapë kutitë që i përkasin minibashkisë numër 5, pasi sipas tyre, në këtë mënyrë po zvarritet procesi.

Ndërsa, kreu i KQZ-së theksoi se “nuk ka rezultat pa numërimin e të gjitha votave të vlefshme që zgjedhësit kanë votuar”.

Ai përsëriti se KQZ ka vendosur që të këqyrë të gjitha kutitë e votimit dhe të numërojë votat e panumëruara për kryetar bashkie, këshill bashkiak, kryetar njësie bashkiake, vota të cilat kanë mbetur të panumëruara pasi janë hedhur në kuti të gabuara.

Nga numërimi i 120 kutive deri tani, në total janë gjetur 170 vota në favor të kandidatit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha dhe 82 vota për kandidatin e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama.