Tiranë – Subjektet zgjedhore kanë tre ditë kohë për të ankimuar, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezultatin e shpallur dje nga ky Komision për bashkinë e Tiranës.
Sipas Kodit Zgjedhor (neni 124), brenda ditës së enjte (26 maj, ora 23:00) PS ka të drejtë t’i drejtohet me kërkesë ankimore KQZ-së për kundërshtimin e vendimit për tabelat e rezultateve në Tiranë.
Në përmbyllje të fazës ankimuese në KQZ, të gjitha palëve u jepet mundësia që brenda 5 ditëve të paraqesin pretendimet e tyre në Kolegjin Zgjedhor, pranë Gjykatës së Apelit. Ky i fundit, nga ana e tij, që nga momenti i paraqitjes së kërkesave ankimore, ka në dispozicion 10 ditë për t’i shqyrtuar ato dhe më pas për të shpallur vendimet, që janë të formës së prerë.
KQZ shpalli të hënën në mbrëmje kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, si fitues të zgjedhjeve për kryetar të bashkisë së Tiranës. Sipas rezultateve të KQZ-së, kandidati Basha mori 81 vota më shumë se kandidati i koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama.
Në zgjedhjet vendore për Tiranën morën pjesë 250 mijë e 880 qytetarë, ndërsa numri i votave shkoi për Bashën 124.786 vota, ndërsa për Ramën 124.705 vota.
Tuesday, 24 May 2011 12:14