Lajme Shqip Tuesday, 24 May 2011 07:21

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbrëmë shpalli fitues për kreun e Bashkisë së Tiranës, kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Lulzim Basha.

KQZ gjithashtu miratoi edhe tabelën përmbledhëse të rezultatit për zonën zgjedhore Bashkia Tiranë, ku Basha rezulton fitues me 81 vota në avantazh, kundrejt kandidatit të koalicionit ‘Aleanca për të ardhmen”, Edi Rama.

Pas miratimit të tabelave përmbledhëse për të gjitha KZAZ-të e Tiranës, në mbështetje të nenit 123 të Kodit Zgjedhor, KQZ miratoi me 4 vota “pro” tabelën përmbledhëse të rezultatit për zonën zgjedhore Bashkia Tiranë.

Në tabelën përmbledhëse të rezultatit për zonën zgjedhore, Bashkia Tiranë rezulton se kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Lulzim Basha ka marrë 124 .786 vota, kandidati i koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, Edi Rama ka marrë 124 .705 vota, dhe kandidati i PPK-së Hysni Milloshi ka marrë 1394 vota.

Në total, në 485 qendrat e votimit të 11 KZAZ-ve të Tiranës ku është votuar në 8 maj, rezultojnë të vlefshme 250 880 vota.

Kundër vendimit të KQZ-së, subjektet e interesuara mund të ushtrojnë të drejtën e ankimit, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Zgjedhor.