Lajme Shqip Tuesday, 31 May 2011 14:32

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes zëdhënësit Leonard Olli, garantoi të martën se këqyrja dhe rivlerësimi i votave të kontestuara mbështetet mbi një procedurë tërësisht transparente dhe ligjore.

KQZ, pas miratimit më herët të kërkesës ankimore të PD-së për rivlerësimin e votave të kontestuara, që ndodhen në 26 kuti të katër KZAZ-ve të Tiranës, shpjegoi për mediat procedurën që do të ndiqet nga ky institucion për këtë qëllim.

Olli hodhi poshtë pretendimet e përfaqësuesve të opozitës për mungese transparence dhe integritet të dyshimtë të kutive të votimit nga vendi ku ato janë magazinuar, apo mënyrën e transportimit të tyre.

“Të gjitha kutitë i janë dorëzuar me procesverbal respektivë Drejtorisë Logjistike pranë KQZ-së. Ato kanë tabelat përmbledhëse për çdo zarf së bashku me librin e protokollit, regjistrin e vendimit dhe depozitohen në zyrën e regjistrimit të akteve e dokumentacioneve. Integriteti i kutive qëndron, sepse në çdo tabelë në kolonën përkatëse shënohen numrat e vulave të kodeve të sigurisë”, tha Olli.

Sipas tij, ka të dhëna të tjera të pakontestueshme brenda procesverbaleve, numrin e zgjedhësve, fletët e gjendura në kutitë, fletët e votimit të pavlefshme.

“Çdo palë e interesuar disponon kopje të tabelës dhe çdokush mund të verifikojë përputhjen e numrave me kodet e sigurisë”, tha ai.

Zëdhënësi Olli sqaroi se kutitë transportohen nga magazinat drejt ambienteve të KQZ-së ku bëhet edhe këqyrja e tyre.

Në këto çaste KQZ ka rifilluar mbledhjen, ku do të këqyren 26 kutitë me vota të kontestuara, në përmbushje të kërkesës ankimore të Partisë Demokratike.