Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi sot me katër vota pro dhe 2 kundër, kërkesën e PD-së për të këqyrur dhe rivlerësuar votat e kontestuara, që ndodhen në 26 kuti votimi dhe që i përkasin katër KZAZ-ve të bashkisë së Tiranës.
Pas shumë debateve dhe kundërshtimeve nga ana e përfaqësuesve të opozitës, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani tha se “do të kemi mundësi t’i këqyrim këto vota, të hapim kutitë ku gjendet zarfi me votat e kontestuara dhe të bëjnë një vlerësim përfundimtar për to”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i përfaqësuesve të opozitës, të cilët kërkuan shpjegime se si ruhen dhe kush i administron këto kuti votimi.
Në përgjigje të kësaj kërkese, kryetari i KQZ-së, shpjegoi se kutitë janë dorëzuar nga KZAZ-të në KQZ dhe dorëzimi është bërë me procesverbale të rregullta. Kutitë janë në KQZ nën administrimin e këtij institucioni, ndërsa transportimi i tyre është bërë nga punonjësit e Komisionit. Për çdo pretendim që ju (opozita) mund të keni përgjegjësia është e KQZ-së”, tha Ristani.
Në këto momente është ndërprerë mbledhja e KQZ-së për të rinisur pas dhjete minutash me këqyrjen dhe rivlerësimin e votave të kontestuara që ndodhen në 26 kuti votimi, sipas kërkesës ankimore të Partisë Demokratike.
Tuesday, 31 May 2011 11:30