Tiranë -300 përfaqësues nga 40 vende të globit, u mbledhën sot në Tiranë për të marrë pjesë në Konferencën e Pestë Ndërqeveritare të Nivelit të Lartë për Reformën “Një OKB”.
Konferenca ndërqeveritare e nivelit të lartë ndërkombëtar për reformën “Një OKB”, organizuar nga Qeveria shqiptare në bashkëpunim me Zyrën e Kombeve të Bashkura në Shqipëri zhvillohet për herë të parë në Shqipëri.
Konferenca tre ditore (27-29 qershor 2012), që organizohet çdo vit në vende të ndryshme të botës, u përshëndet nga Kryeministri Sali Berisha edhe nga Znj. Helen Clark, Kryetare e Grupit të Zhvillimit të OKB-së (UNDG) dhe Administratore e UNDP-së (ish kryeministre e Zelandes se Re).
Kryeministri Berisha dhe Kryetarja e Grupit të Zhvillimit, Helen Clark mbajtën një konferencë të përbashkët shtypi, ku iu përgjigjën edhe interesimit të mediave.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria është një vend me fat, pasi ka mundur të jetë në 8 shtetet e para që ka përfitur nga kjo nismë. “Nismën “Një OKB” patëm fatin dhe nderin ta fillojmë si një nga 8 vendet e para të planetit, të përzgjedhura për këtë qëllim. Sot bëhet bilanci i zhvillimeve pozitive, ajo është shndërruar në një vektor ndryshimi në veprimtarinë e OKB. Synon të rrisë eficencën e ndihmës së OKB për zhvillimin e vendeve anëtare, për arritjen e objektivave të mijëvjecarit, të ulë koston e ndihmës e të zvogëlojë barrën burokratike. Kryeministri Berisha deklaroi më tej se reformimi i kësaj organizate është i domosdoshëm.
Në fjalën e saj, zonja Clark falenderoi Shqipërinë që u bë pjesë e kësaj iniciative dhe shtoi se, “Kjo axhendë tregon se OKB punon më mirë kur të gjitha agjencitë e saj bashkohen bashkë dhe zhvillimi është më madh. Që në fillim ramë dakord për vlerësime të pavarura të vendeve që morën pjesë në projektin pilot. Në këto 3 ditë do kemi mundësi të diskutojmë për rezultatet e kësaj qasje”, tha ajo. Duke folur për Shqipërinë dhe mundësinë e saj për të përthithur donacione nga kjo nismë, Clark tha, “Shqipëria është efikase në punën që ka bërë dhe ka marrë më të mirën e mundshme nga kjo nismë”, tha ajo.
E pyetur nëse kriza globale ka prekur këtë iniciativë, Clark tha se, “Burimet dhe të ardhurat i kemi siguruar para se të vinte kriza”. Ndërsa kryeministri, shtoi se nga kjo nismë Shqipëria ka marrë fonde që kanë dhënë rezultate të prekshme. “Kjo iniciative kërkon qe ti besosh si çdo gjë tjetër. Ne i kemi besuar që në fillim, nga ai moment jam i bindur se bashkëpunimi ynë ka një ndryshim real cilësor, janë një listë e tërë projektesh të një rëndësie themelore për vendin, të trajtuar në kuadrin e kësaj nisme, kemi arritur rezultate të prekshme”.
Në konferencë morrën pjesë përfaqësues të lartë nga 40 vende të botës, përfaqësues nga vendet donatore, krerë e përfaqësues të lartë të sistemit të OKB-së, etj. Synimi i organizimit të konferencës është të përmirësojë efektshmërinë e sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe shihet si një mundësi e rëndësishme për të paraqitur rezultatet, arritjet, sfidat dhe mësimet e nxjerra nga qasja Një OKB.
Nga Konferenca do të dalin dy dokumente kryesore të cilat do të japin rekomandime mbi të ardhmen e kësaj nisme në vendet ku ajo do të aplikohet. Në konferencë pritet ndër të tjera qe vendet pjesëmarrëse të bien dakord mbi një qëndrim të përbashkët që elementë kyç të nismës “Një OKB”, t’i paraqiten, në korrik 2012, Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së (ECOSOC) dhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në vjeshtë të vitit 2012.
Të identifikohen dhe njihen praktikat më të mira të nismës “Një OKB” nga të cilat vendet e tjera mund të përfitojnë, duke u përqendruar në rezultatet konkrete dhe sfidat në të ardhmen.
– Shqipëria dhe Nisma “Një OKB”.
Në vitin 2007 pas kërkesës së qeverisë shqiptare, Kombet e Bashkuara zgjodhën Shqipërinë si një ndër tetë vendet pilote të nismës “Një OKB” në botë. Ndërtuar mbi programin e reformave të vendosura nga shtetet anëtare të OKB-së, koncepti “Një OKB” përshpejton përpjekjet për rritjen e koherencës dhe efektshmërisë së aktiviteteve të zhvillimit në nivel vendi.
Tetë vendet pilote të programit “Një OKB” filluan zbatimin e një modeli të ri ku programet dhe agjencitë do të bashkoheshin në “Një Program”, “Një Kuadër Buxhetor”, “Një Drejtues” dhe “Një Zyrë”. Më 24 tetor 2007, Qeveria e Shqipërisë dhe njëmbëdhjetë Agjenci, fonde dhe programe të OKB-së, nënshkruan Programin “Një OKB”. Objektivi i Programit “Një OKB” në Shqipëri është përmirësimi i rezultateve dhe impaktit të zhvillimit duke bashkuar avantazhet krahasuese të sistemit të OKB në një program të vetëm strategjik.
Ndersa ne tetor te viti 2011 qeveria e shqipërisë dhe Kombet e Bashkuara nënshkruan programin e ri të bashkëpunimit për periudhën 2012-2016 i cili mbështet përparësitë kombëtare dhe sfidat e zhvillimit të vendit në fushat e qeverisjes, shtetit të së drejtës, ekonomisë dhe mjedisit, zhvillimit rajonal dhe lokal dhe politikave sociale gjithëpërfshirëse. Programi mbështet Shqipërinë në axhendën e saj të integrimit evropian.(LajmeShqip.com)
Wednesday, 27 June 2012 13:45