Tiranë – Tregu i sigurimeve për katërmujorin e parë të vitit u rrit me 8.22%. Të dhënat zyrtare të publikuara nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare treguan se në muajin prill sigurimet e rritën lehtë ritmin e rritjes. Impulsin vazhdon ta japë kryesisht tregu i sigurimit të jetës, që u rrit me mbi 48% me bazë vjetore, ndërkohë segmenti i jo-jetës u rrit me vetëm 4%. Sigurimi i jetës zë tashmë 12% të totalit të tregut, nga rreth 8.7% që zinte një vit më parë.
Fenomeni më tipik për tregun e sigurimeve është rritja shumë e lartë e numrit të kontratave, që për katër muajt e parë të vitit arritën në 408 mijë, me një rritje mbi dy herë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010.
Shpërpjestimi i thellë me rritjen prej vetëm 8% të volumit të primeve tregon se rritja ka ardhur në kontratat me vlerë të vogël, kryesisht në ato të sigurimit të shëndetit në udhëtim, kategori e lidhur ngushtë me udhëtimet jashtë vendit dhe me liberalizimin e vizave.
Vlera e dëmeve të paguara për katër muajt e parë të vitit ishte 683 milion lekë, me një rritje prej rreth 8% krahasuar me një vit më parë. Norma e rritjes së dëmeve është dukshëm më e ulët krahasuar me vitin 2010. Raporti mes dëmeve dhe primeve ka rënë dukshëm në 23.2%, nga 28.3% që ishte për të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Friday, 27 May 2011 15:24