Tiranë – Kryetari i PDIU-së , Shpëtim Idrizi dhe kandidati për kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 7 në Tiranë, Krenar Alimehmeti, organizuan sot një takim me ish- futbollistë dhe trajnerë që kanë dalë nga ekipet kryeqytetase.
Zyra e shtypit e PDIU-së bëri të ditur se gjatë këtij aktiviteti të zhvilluar në Hotel Tirana, Idrizi theksoi se futbolli shqiptar duhet të ngjitet në nivele më të larta dhe ka nevojë për vëmëndje më të madhe.
Mët tej, kreu i PDIU-së vlerësoi kandidatin Krenar Alimehmeti, duke u shprehur i sigurtë se “çdokush që e njeh nga afër Krenarin e di se ai do të jetë menaxheri më i suksesshëm i njësive të pushtetit vendor” .
Ndërsa Krenar Alimehmeti premtoi përpara ish- futbollistëve të kryeqytetit, se Njësia Bashkiake nr. 7, përveçse do të jetë një ndër zonat ku do t’i vendoset përparësi nevojave të qytetarit, do të jetë edhe një njësi model për mjediset sportive.
“Unë zotohem sot se mjediset shplodhëse dhe sportive, që janë të nevojshme për qytetin tonë, do të jenë pjesë e pandashme e punës sime të përditshme si kryetar i minibashkisë nr. 7” , përfundoi kandidati Alimehmeti.
Saturday, 23 April 2011 14:20