Lajme Shqip Tuesday, 24 May 2011 21:09

Tiranë – Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, priti sot në një takim kurtuazie Ambasadorin e Mbretërisë së Marokut në vendin tonë, Hassan Abouyoub.

Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se ministri Haxhinasto nënvizoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve politike ndërmjet dy vendeve, dhe theksoi se është e nevojshme që kjo frymë miqësore bashkëpunimi, të përkthehet edhe në një bashkëpunim ekonomik të suksesshëm.

Gjithashtu Haxhinasto vlerësoi lart mbështetjen që dy vendet i kanë dhënë njëri-tjetrit në kuadrin e organizatave ndërkombëtare.

Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord që të firmosen së shpejti dy marrëveshje në fushën e turizmit e atë konsullore.

Ambasadori Abouyoub shprehu angazhimin e vendit të tij, si dhe përkushtimin personal që marrëdhëniet ndërmjet Marokut dhe Shqipërisë të shkojnë në një nivel cilësisht të ri, veçanërisht në aspektin ekonomik, nëpërmjet krijimit të komisioneve dypalëshe ekonomiko-tregtare.