Tiranë – Zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti sot Ministren e Turizmit dhe Ambientit të Federatës së Bosnje Hercegovinës, Branka Duriç. Në këtë vizitë, ministrja Duriç shoqërohej nga një numër i madh përfaqësuesish të operatorëve turistikë si dhe gazetarë.
Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se z. Haxhinasto vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe përpjekjet e kohëve të fundit për intensifikimin e tyre, veçanërisht në fushën e kulturës, artit, turizmit, bashkëpunimit ekonomik, etj.
Gjithashtu z. Haxhinasto i kushtoi një vëmendje të veçantë bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, të cilat janë të angazhuara në proceset integruese. Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina, u shpreh ai, ndajnë kështu vlera dhe objektiva të përbashkëta. Z. Haxhinasto përfitoi nga rasti të ftojë kompanitë boshnjake që të investojnë në sektorë të ndryshëm në Shqipëri dhe qytetarët e Bosnje Hercegovinës të vizitojnë vendin tonë, në prag të sezonit të ri turistik.
Nga ana e saj, znj. Duriç vlerësoi arritjet e Shqipërisë në proceset integruese dhe ftoi institucionet shqiptare dhe qytetarët shqiptarë të jenë më të pranishëm në Bosnjë Hercegovinë me aktivitete të ngjashme, për të njohur dhe për të punuar më pranë njëri-tjetrit.
Friday, 27 May 2011 09:22