Lajme Shqip Wednesday, 25 May 2011 18:33

Tiranë – “Këto zgjedhje kanë qenë një moment i rëndësishëm për demokracinë në Shqipëri”, deklaroi sot në Tiranë Ëolfgang Grossruck, Zëvendëspresident i Asamblesë Parlamentare të OSKE-së gjatë takimit që zhvilloi me kryeministrin Berisha.

Sipas Zyrës së Shtypit të Kryeministrisë, Grossruck, gjatë takimit, uroi kryeministrin Berisha për fitoren e Partisë Demokratike dhe të koalicionit që ai drejton në zgjedhjet 8 majit, në veçanti për fitoren e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, e kandidatit të tij, zotit Lulëzim Basha, në bashkinë e Tiranës, duke u shprehur njëkohësisht se këto zgjedhje kanë qenë një moment i rëndësishëm për demokracinë në Shqipëri.

Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Grossruck për interesin e vazhdueshëm që tregon ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar, kontributin e vazhdueshëm që ka dhënë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, në promovimin e imazhit të Shqipërisë në Austri e në Evropë dhe në nxitjen e interesit të investitorëve e publikut austriak ndaj vendit tonë.

Grosruk dhe delegacioni që e shoqëronte, i cili përbëhej nga një numër profesionistësh, intelektualësh të fushave të ndryshme dhe përfaqësues të biznesit austriak, vlerësuan arritjet e jashtëzakonshme të reformave të qeverisë shqiptare, gjatë kësaj periudhe dhe u interesuan për mundësitë e shumta që Shqipëria ofron për biznesin e huaj dhe investimet.

Kryeministri Berisha i njohu miqtë austriakë me potencialet e mëdha që Shqipëria ofron në fusha si ajo e turizmit, e prodhimit të energjisë elektrike, nga burimet ujore, ndërtimin e infrastrukturave të rëndësishme, si dhe me klimën më të favorshme që qeveria shqiptare ka ndërtuar gjatë kësaj periudhe për biznesin dhe investimet, si regjistrimi on line përmes sistemit One Stop Shop, e- taksa, e-dogana, prokurimet elektronike, etj.

Në takim u vlerësua gjithashtu bashkëpunimi i shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Austrisë dhe qeverive të dy vendeve në shumë fusha, si dhe u vlerësua fakti që investimet austriake zënë vendin e tretë për sa i përket investimeve të huaja në Shqipëri, në sektorë shumë të rëndësishëm si ai bankar, hoteleri turizëm, etj.