Lajme Shqip Tuesday, 31 May 2011 14:51

Tiranë – Gara për kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës mes kandidatit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha dhe kandidatit të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama, duket se përveç ecurisë normale të punës së administratës së bashkisë, ka bllokuar edhe disa prej projekteve të iniciuara nga kjo bashki.

Të premten pritet vendimi i Kolegjit Zgjedhor për të mësuar nëse vendimi i KQZ-së që shpalli fitues kandidatin Basha me 81 vota diferencë do të mbetet në fuqi apo jo, por deri në momentin që do të mësohet emri i kryebashkiakut të ri të kryeqytetit puna në Tiranë mbetet e bllokuar.

Kështu punimet në një prej projekteve kryesore të Bashkisë, siç është rikonstruksioni i sheshit “Skënderbej” janë ndalur prej pothuajse një muaji.

Deri tani ka përfunduar faza e parë e infrastrukturës nëntokësore tek sheshi “Skënderbej”, por ajo që shqetëson më tepër qytetarët është rëndimi i trafikut të kryeqytetit, që ka sjellë kjo ndalesë e punimeve.

Sipas burimeve nga bashkia, “në këtë fazë punimet janë shtrirë pothuajse në të gjithë sipërfaqen e sheshit, teksa qarkullimi i automjeteve është mjaft i limituar”.

Në prag të nisjes së sezonit veror dhe pritshmërisë së madhe të turistëve që do të vizitojnë edhe Tiranën, kryeqyteti shqiptar gjendet i papërgatitur si në përballimin e trafikut të rënduar, ashtu edhe në vendet për parkim, sidomos në qendër të tij.