Lajme Shqip Tuesday, 17 May 2011 09:20

Tiranë – Ligji për faljen dhe legalizimin e aseteve, edhe pse është miratuar, ende nuk është i qartë se si do të zbatohet. Vetëm dy ditë para se ky ligj të hyjë në fuqi, nga dikasteri i Financave nuk ka një formular të saktë apo të përfunduar se si do të nisë të zbatohet në praktikë.

Edhe pse burime zyrtare nga Ministria e Financave ishin shprehur se brenda një kohe shumë të shkurtër të gjitha udhëzimet që lidhen me zbatimin konkret të ligjit do të ishin gati, akoma nuk ka diçka konkrete.

Jemi vëtëm dy ditë para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe në këtë fazë, bizneset dhe qytetarët po presin se si do t’i bëjnë realitet përfitimet që ata do të kenë nga ligji i faljes dhe i legalizimit. Në bazë të këtij ligji, përfituesit më të mëdhenj do të jenë qytetarët që do të deklarojnë të ardhurat e tyre, pasuritë e tyre si dhe do të përfitojnë nga falja e të gjitha detyrimeve të papaguara, si lokale ashtu dhe nacionale.

Gjithashtu, do të jenë përfitues bizneset e vegjël dhe të mëdhenj, të cilëve do t’u falen detyrimet si dhe do të kenë mundësi të legalizojnë asetet e tyre. Por, ngelet akoma  e pasqaruar  se si do të funksionojë administrimi i procesit nga ana e institucioneve fiskale dhe bankare  në vend.

Ligji për faljen dhe legalizimin është  cilësuar si një ligj gjithëpërfshirës, por që  nuk përfshin veprat kriminale, pasuritë e zyrtarëve dhe çdo veprim tjetër, që prek Kodin Penal. Zbatimi i këtij ligji pritet ti japë ekonomisë shqiptare një impuls zhvillimi, si dhe të  fusë në qarkullim miliona euro.