Lajme Shqip Tuesday, 27 September 2011 18:16

Tiranë – Sipas të dhënave të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP, të ardhurat e operatorëve celularë në vitin 2010 ranë për të dytin vit rresht në 41.9 miliardë lekë.

Krahasuar me vitin 2009, rënia ishte 11.2%, ndërsa krahasuar me vitin 2008 të ardhurat e operatorëve celularë ranë me 14.5%. Altin Rrapaj, drejtor i Rregullimit Ekonomik në AKEP, thotë se shkaqet e rënies së të ardhurave duhen kërkuar te ulja e tarifave për shkak të konkurrencës, por edhe si rezultat i ndërhyrjeve të Autoritetit Rregullues. Kompania që ka vuajtur më shumë në dy vitet e fundit rënien e të ardhurave është AMC.

Për vitin 2010, kompania shqiptare e grupit “Cosmote” realizoi një xhiro në vlerën e 16.5 miliardë lekëve, me një rënie prej 17.5% krahasuar me vitin 2009. Në një masë më të ulët kanë rënë të ardhurat e “Vodafone Albania”, që për vitin 2010 realizoi një xhiro prej 20.2 miliardë lekësh, me një rënie vjetore 11.8%.

Ndryshe nga dy operatorët e mëdhenj, “Eagle Mobile” realizoi një performacë në rritje të të ardhurave në dy vitet e fundit. Për vitin 2010, “Eagle” realizoi një xhiro prej 5.2 miliardë lekësh, me një rritje vjetore 18.2%. Në garën mes operatorëve, “Vodafone Albania” kryeson ndjeshëm dhe në vitet e fundit e ka thelluar avantazhin ndaj AMC.

Në fund të vitit 2010, “Vodafone Albania” zotëronte mbi 48% të tregut, ndërsa AMC më pak se 40%. Tre vjet pas nisjes së aktivitetit, operatori i tretë, “Eagle Mobile”, arriti në 12.4% të tregut. (LajmeShqip.com)