Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijon sot me shqyrtimin e ankimimeve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për rezultatin zgjedhor për bashkinë e Tiranës.
Ankimimi i PD-së kërkon që, përveç votave të vlefshme të hedhura në kutitë e gabuara, tashmë të rivlerësohen edhe një numër votash të kontestuara gjatë procesit të numërimit të votave për kryetar bashkie.
Gjatë prezantimit të kërkesës së demokratëve, përfaqësuesi ligjor, Oerd Bylykbashi tha se “PD vlerëson nevojën që të shqyrtojë, rivlerësojë dhe rinumërojë dhe për pasojë edhe të përfshijë në rezultatin e përgjithshëm të Tiranës të gjitha votat e kontestuara në procesin e numërimit dhe vlerësimit fillestar të votave të hedhura për kandidat për kryetar të Bashkisë në Tiranë, dhe që si rregull ndodhen në zarfin e fletëve të votimit të kontestuara”.
Kjo, sipas demokratëve, do të rriste integritetin e procesit zgjedhor në Tiranë dhe bazohet mbi një procedurë tërësisht ligjore dhe të mbështetur në Kodin zgjedhor. “Këto janë vota të kontestuara, që mbartin mëdyshje, pavarësisht se i janë nënshtruar vendimit të KZAZ-ve përkatëse dhe rezultati është përfshirë në tabelën e rezultateve”, tha Bylykbashi.
Monday, 30 May 2011 12:46