Tiranë – Ndërtimi i rrugës me tunel Elbasan-Tiranë do të nxisë dhe zhvillojë ekonomikisht jo vetëm kryeqendrën e Shqipërisë së Mesme, por të gjithë rajonin e Shqipërisë juglindore.
Kuvendi diskutoi të enjten marrëveshjen “ISTISNA” mes Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Bankës Islamike për Zhvillim (IDB) për financimin e projektit të rrugës Tiranë – Elbasan”.
Ministri i Financave Ridvan Bode, duke mbrojtur këtë marrëveshje tha se, “shkurtimi i distanës Tiranë-Elbasan përbën një nga interesat më të mëdha për ndërtimin e kësaj vepre infrastrukturore, që do të sjellë uljen e kostos së lëvizjes së mallrave, produkteve dhe mjeteve”.
Bode bëri të ditur se “kosto totale e vlerësuar e projektit është 380 milionë dollarë” dhe është parashikuar të financohet nga disa institucione financiare të huaja si Banka Islamike për Zhvillim, Fondi Saudit, OPEC dhe pjesa që mbetet nga qeveria shqiptare.
“Banka Islamike kryeson me 222.7 milionë dollarë financim, që do të mbulojë ndërtimin e tuneleve dhe gjithë infrastrukturën ndihmëse të tyre si dhe dy segmente me rreth 3 km secili në hyrje dhe dalje të tuneleve”, tha Bode.
Minisitri Bode gjithashtu vlerësoi termat, me të cilat është siguruar marrja e kredisë nga Banka Islamike.
“Asnjëherë në këtë Kuvend nuk është miratuar një kredi për ndërtimin e një vepre infrastrukturore, e cila në një transh të vetëm të ketë një madhësi prej 222.7 milionë dollarësh”, tha Bode.
Po ashtu, Bode vlerësoi edhe rolin lider të Bankës Islamike për negociatat me Bankat e tjera për të mundësuar që kësaj shume t’i shtohen edhe donatorë të tjerë, si Fondi i Abu Dabit, me të cilin po negociohet marrëveshja prej 50 milionë dollarë dhe Fondin Saudit, që bie dakord për t’iu bashkangjitur këtij projekti me një financim prej 15-25 milionë dollarë.
Kreu i financave publike vuri në dukje se, “vlera e ndërtimit mund të jetë edhe më e vogël, pasi siç u vërejt në tenderimin e tunelit, kosto për ndërtimin e tij u ul nga 120 milionë dollarë të parashikuar në 80 milionë dollarë”.
Bode theksoi se edhe për dy segmente të tjera që janë në proces tenderimi, mund të sigurohet një vlerë më e ulët ndërtimi.
Sipas tij, me ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan, qyteti i Elbasanit bëhet më i afërt me Tiranën dhe përgjysmohet edhe largësia e qarqeve të tjera.
Bode tha se, për të gjithë këto rajone, do të rritet së tepërmi mundësia e investimit dhe e zhvillimit të turizmit si dhe intensiteti i bashkëveprimit të tyre me tregun më të madh të vendit, zonën që përbën dhe rrethon metropolin shqiptar me portin më të madh.
“Do të sjellë edhe një rritje të hapësirës së zhvillimit dhe investimeve dhe të vet kryeqendrës së Tiranës në drejtimin jugor të saj”, tha Bode.
Autostrada Tiranë -Elbasan, pjesë e boshtit të jugut, e projektuar me standarde evropiane përbën veprën më të madhe infrastrukturore të vendit. Ajo ka një gjatësi rreth 31 km, me katër korsi plus 2 korsi emergjencash dhe shpejtësi lëvizje 120 km orë. Projekti përfshin edhe ndërtimin e 2 tuneleve me gjatësi 2.3 dhe 2.1 km, vepra arti dhe ura mbajtëse, mbi dhe rreth rrotullime dhe masa të larta sigurie . Projekti parashikon edhe shpronësim të sipërfaqeve të nevojshme për ndërtimin e rrugës si dhe supervizionin e saj në të gjithë gjatësine.
Thursday, 26 May 2011 12:36