Tiranë – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, se “rivlerësimi i votave të kontestuara ruan sistemin zgjedhor, që është më i drejti në historinë e zgjedhjeve shqiptare”.
Para deputetëve demokratë, Berisha sqaroi edhe njëherë faktin se përse Partia Demokratike kërkoi rivlerësimin e votave të kontestuara.
“Ne kemi kërkuar rivlerësimin e këtyre votave, pasi sistemi ynë aktual zgjedhor ka si shtyllë të parë dhe të fundit, të drejtën e kundërshtimit”, tha Berisha, ndërsa e cilësoi jetik, vendimin për numërimin e votave të kontestuara.
Në dallim nga sistemi i mëparshëm zgjedhor, ku në rast të rezultatit të ngushtë, autorizohej rinumërimi automatik, Berisha tha se “sistemi aktual e përjashton këtë dhe nuk lejon të preket asnjë votë me të cilën të gjithë komisionerët kanë qenë dakord”.
Por sipas kryeministrit, “sistemi ynë zgjedhor bazohet në të drejtën e çdo komisioneri apo vëzhguesi të vendosë veton për çdo fletë votimi”.
Berisha theksoi se nuk ka asnjë dijeni se kujt mund t’i përkasin votat e kontestuara, por me numërimin e tyre përfitojnë shqiptarët.
“Ky është një rregull që e bën sistemin tonë më të drejtë”, tha Berisha, duke shtuar se votat e kundërshtuara kanë fituar të drejtën e qytetarisë për tu vlerësuar në të gjitha instancat.
Kryeministri theksoi se maxhoranca i ka lejuar vetes vetëm një përjashtim dhe nuk ka ankimuar rastet kur në kuti janë gjetur fletët e votimit së bashku me kundrafletët, edhe pse me të drejtë shumë komisionerë dhe vëzhgues në qendrat e votimi i kanë konsideruar ato të kontestuara.
“Nëse ne do të merreshim me këto fletë, kandidati tjetër nuk do të ishte minus 81 vota, por do të kishte minus 300- 400 vota. Por qytetarët e Tiranës kishin shprehur qartë vullnetin e tyre dhe vota e tyre nuk mund të penalizohej vetëm për gabimin e komisionerit që ka vendosur fletën dhe kundrafletën në kuti”, tha Berisha.
Kryeministri tha se mund të ketë mbështetës dhe simpatizantë të PD-së që do të kishin dashur që të ishin përfshirë këto vota në votat e kundërshtuara dhe kërkoi mirëkuptimin e tyre, duke siguruar se “në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me një lëshim për Edi Ramën por është respekt për votat e mbi 1 mijë qytetarëve të Tiranës”.
Ndërkohë, Berisha theksoi se “kreu i PS-së mund të kishte bërë padi për të gjitha çështjet që e kanë shqetësuar gjatë zgjedhjeve në Tiranë, por zgjodhi të bëjë akuza vetëm pasi u mbyll procesi i ankimimit”.
Monday, 30 May 2011 15:37