Tiranë – Kryeministri Sali Berisha, të dielën zhvilloi takim me një grup operatorësh turistikë polakë, ku theksoi se qeveria do të mbështesë çdo projekt të investitorëve të huaj potencialë, me qëllim shndërrimin e projekteve të tyre në histori të vërteta suksesi.
Sipas njoftimit për shtyp nga kryeministria, një grup prej 22 operatorësh turistikë polakë, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe në kuadër të bashkëpunimit të Unionit të Operatorëve Turistikë Shqiptarë me Unionin e Operatorëve Turistikë Polakë, ndodhen në Shqipëri për t’u prezantuar dhe njohur me mundësitë dhe potencialet turistike dhe trashëgiminë kulturore të vendit tonë.
Kryeministri Berisha theksoi se turizmi është kthyer jo vetëm një nga degët kryesore të ekonomisë, por dhe një mundësi njohje e potencialeve të vendit tonë në vendet europiane dhe më gjerë.
Duke vënë në dukje përmirësimin e kuadrit ligjor për nxitjen e zhvillimit të turizmit dhe investimet që janë bërë në infrastrukturë, ku janë ndërtuar 8 mijë kilometra rrugë dhe 14 impiante të pastrimit të ujërave të zeza, kreu i Qeverisë vlerësoi punën e bërë jo vetëm për zhvillimin e shpejtë turistik, i cili nga rreth 300 mijë vizitorë që ishte në vitin 2004 ka shkuar në rreth 3.5 milionë në vitin 2010, por edhe rritjen e interesimit të investitorëve të huaj për të zhvilluar projekte konkrete turistike në zonat bregdetare.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha e vuri theksin në rëndësinë potenciale për zhvillimin e turizmit në zonat malore si në Theth, Valbonë, Kelmend, Prespë, Voskopojë, Dardhë, etj.
Sunday, 22 May 2011 17:32